Ushtria izraelite ka pranuar se trupat e saj kishin bombarduar një shtëpi të OKB-së në Gaza muajin e kaluar, ani se më parë mohoi përgjegjësinë.
Më 19 mars, ndërtesa në Deir al Balah që i përket Zyrës së OKB-së për Shërbimet e Projektit (UNOPS) u sulmua, duke vrarë një anëtar bullgar të stafit të OKB-së dhe duke plagosur gjashtë punëtorë të tjerë ndërkombëtarë.
OKB-ja tha se ndërtesa u qëllua nga një tank izraelit, një pretendim që ushtria izraelite e mohoi më parë.
“Ndërtesa u godit për shkak të pranisë së armikut të vlerësuar dhe nuk u identifikua nga forcat si një objekt i OKB-së”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga ushtria izraelite.
Por me këtë konstatim nuk u pajtua shefi i UNOPS-it, Jorge Moreira da Silva, i cili tha se Izraeli e dinte vendndodhjen e ndërtesës dhe kush punonte atje.
Pranimi i përgjegjësisë vjen në kohën kur Izraeli është nën presion në rritje për vdekjen e punonjësve të ndihmës në Gaza.
Ndërkohë, vrasjet e civilëve të pafajshëm po vazhdojnë pa asnjë pengesë e asnjë reagim ndërkombëtar,
Të paktën 59 persona, përfshirë fëmijë, janë vrarë në një breshëri sulmesh izraelite në të gjithë Rripin e Gazës të rrethuar, thanë burime mjekësore për Al Jazeera.



