Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi sot një takim me mbështetësit e PD-së në njësinë Nr. 4 në Tiranë.
Gjatë fjalës së tij Berisha u ndal te programi i PD-së për mirëqenien, ndërsa premtoi se në 100 ditët e para të qeverisjes, do të vendoset minimumi jetik prej 200 eurosh.
“Ne në 100 ditët e para do të realizojmë atë ndryshim të cilin nuk e ka menduar ndonjëherë, ndonjë njeri këtu. Në 100 ditët e para miqtë e mi, ne do të vendosim minimumin jetik 200 euro për çdo pensionist. Për çdo qytetar në ndihmë ekonomike, për çdo të papunë, për çdo jetim, që ka vetëm një prind, për çdo student me bursë dhe me këtë shumë ne garantojmë për këta qytetarë që numërojnë kafshatën 6,3 euro në ditë, pak është, por mjerim nuk është. Me këtë tregues ne barazojmë veten tonë, me vende të tjera të cilat nuk pranojnë që qytetarët e tyre të jenë në mjerim”, tha Berisha.
Kreu i PD-së bëri një apel, për faktin se “çdo ditë që na ndan nga 11 maji është një kushtrim për ne. Janë sirenat që na ftojnë të bëjmë të gjithë përpjekjet tona për fitoren e shkëlqyer, historike që presin banorët e njësisë numër 4 dhe shqiptarët në të katër anët e vendit”.
Berisha u ndal edhe te programi i PD-së, për të cilin tha se po pushton mendjet dhe zemrat e qindra dhe mijëra shqiptarëve.
“Ky program ka si qëllim kryesor, më kryesor, një mundësi të re për çdo shqiptar, nga fëmijët për një shkollë më të mirë. Te pensionistët, për një jetë më të mirë. Te të rinjtë, për shanse shkollimi dhe punësimi reale. Te bizneset për shanse të vërteta suksesi. Te punonjësit përmirësim dhe respekt të punës së tyre. Por, ka para së gjithash rikthimin e parave të shqiptarëve, tek qytetarët”, tha Berisha.
“Sot, ju, secili prej jush, edhe ai që punon dhe ai që nuk punon, edhe ai që ka biznes, edhe ai që ka makinë dhe ai që nuk ka makinë, çdo njëri, edhe fëmija i sapo lindur dhe i moshuari, paguani taksat më të rënda kësaj qeverie. Dhe në rast se sot ne kemi 21% të familjeve në këtë vend që nuk ushqejnë dot me tre vakte ushqim fëmijët e tyre. Të gjithë rrogëultit, të gjithë pensionistët do të kenë kartën e konsumatorit me të cilën do marrin gjërat bazë, ushqimet me 20% më lirë se të tjerët”, u shpreh Berisha, teksa shtoi se “Shqipëria do të adaptojë pikë për pikë listën e ilaçeve të Republikës Italiane dhe do e rimbursojë atë 100% për qytetarët e vet”.
Berisha theksoi se dy janë shërbimet themelore për çdo komb, arsimi dhe shëndetësia, që sipas kreut të PD-së kanë degraduar në mënyrën më të papranueshme.
“Janë rrokullisur gjer në pothuajse shpartallim. Në rast se i hedh sistemi të shëndetësisë, është një sistem jashtëzakonisht problematik. Është një sistem në të cilin të sëmurët rëndë në spitale, i merr sëmundja se nuk kanë ilaçe për mjekim. Është një sistem në të cilin, një i sëmurë që shfaqet një shqetësim, duhet të presë muaj e muaj të tërë për të bërë skanerin, apo rezonancën. Është një sistem në të cilin mjekimi, është gjysmak, ose ai që nuk duhet”, pohoi Berisha.
Kreu i PD-së u shpreh gjatë fjalës me mbështetësit e kësaj force politike në njësinë Nr. 4 në Tiranë, se do të dyfishojë buxhetin për shëndetësinë, ndërsa do të garantojë çdo shqiptar që nuk do të lihet pa ilaçe.
“Do dyfishohen rrogat e mjekëve dhe infermierëve. Aparaturat, do pajiset çdo spital dhe i gjithë sistemi. A e dini miq sot, statistika zyrtare e qeverisë konfirmon se në 1 vit ju, ne të gjithë shqiptarët shpenzojmë nga xhepi për kujdesin shëndetësor, 820 milionë euro. Shpenzojmë nga xhepi 3-4-fish që shpenzojnë popujt e vendeve anëtare të BE-së. Shpenzojmë 2-3-fishin e të gjithë popujve në vendet përreth nesh në Ballkan. Pra të shpenzosh 820 milionë euro për kujdes shëndetësor, a e dini që do të thotë se shqiptarët të cilët në 1 vit, shpenzojnë për bukën në total 220 milionë euro, pra shpenzojnë ilaçe 4 herë më shumë se për bukën”, tha Berisha.