Mijëra njerëz janë mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, ku ka filluar ceremonia mortore për nder të Papa Françeskut, i cili ndërroi jetë më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare, pas një sëmundjeje të gjatë, që përfshinte komplikime kardiake.
Ceremonia mortore drejtohet nga Kardinali Giovanni Battista Re. Trupi i Atit të Shenjtë do të varroset në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, në Romë, pranë Kapelës Pauline.
Në funeralin e Papës Françeskut po marrin pjesë mbi 50 liderë botërorë. Në këtë ceremoni marrin pjesë edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, si edhe presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj.
Në Shën Pjetrin, në Vatikan janë të pranishëm edhe mbretër, mbi 52 presidentë, 23 krerë qeverish dhe delegacione nga 166 vende.



