Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës ka dalë me sqarim në lidhje me praninë e forcave të saj në sheshin “George Bush” në Prishtinë.
Ndryshe nga deklarimet e kreut të Prishtinës, Përparim Rama, policia ka thënë se atë ishin shkuar për ta asistuar Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, për aktivitete të planifikuara në kuadër të punës sekondare, aktivitete këto që nuk ndërlidhen me asistimin e kryerjes se punimeve në atë zonë.
“Zyrtarët policorë veprojnë në bazë të parimeve të ligjshmërisë, proporcionalitetit dhe neutralitetit, duke respektuar në çdo rast ndarjen e pushteteve dhe kompetencat e institucioneve të tjera. Çdo pretendim që sugjeron tejkalim të kompetencave nga ana e Policisë së Kosovës është i pabazuar dhe bie ndesh me misionin tonë për të vepruar në mënyrë të paanshme dhe në përputhje me ligjin. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar për të ofruar mbështetje institucionale në përputhje me ligjin dhe për të garantuar sigurinë publike, duke respektuar gjithmonë kufijtë e kompetencave të saj”, thuhet në reagimin e policisë.