Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën do të realizohet eksplodimi i kontrolluar i mjetit shpërthyes, që dyshohet të jetë që nga koha e Luftës së Dytë Botërore, e i cili u gjet dje pasdite në lagjen “Teneqja” në fshatin Stagovë tė Kaçanikut.
“Më datë 28.04.2025, rreth orës 14:40, në fshatin Stagovë tė Kaçanikut, në lagjen “Teneqja” është raportuar për një mjet të dyshuar të pashpërthyer. Në vendin e ngjarjes kanë dalë FSK dhe Njësia e Deminimit nga KFOR-i, të cilët kanë kryer inspektimin dhe kanë rekomanduar në marrjen e masa si në vijim: Më datë 30.04.2025 (e mërkurë), në periudhën nga ora 09:00 deri në ora 13:00, do të realizohet eksplodimi i kontrolluar i mjetit të dyshuar shpërthyes, i dyshuar si i luftës së dytë botërore”, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Meqë zona e rrezikut është vlerësuar me një rreze prej 1000 metrash, policia thotë se brenda zonës ndalohet rreptësishtë qëndrimi i njerëzve, derisa kanë dalë edhe me rekomandime të tjera se si të veprohet nga ora 09:00 deri në orën 13:00 të ditës së nesërme kur edhe do të kryhet ky deminim.
“Zona e rrezikut është vlerësuar me një rreze prej 1000 metrash nga vendi ku ndodhet mjeti shpërthyes. Brenda kësaj zone ndalohet rreptësishtë qëndrimi i njerëzve. Ndërsa rekomandohet largimi në vend të sigurt i kafshëve dhe makinerive. Banorët e lagjes “Teneqja” dhe të zonës së kodrës në fshatin Stagovë luten që: – Të mbajnë dritaret e shtëpive hapur, për shkak të valës së mundshme të shpërthimit, e cila mund të shkaktojë dëme materiale. Të largojnë veturat në vende të sigurta si garazhe ose pas shtëpive”, janë disa nga rekomandimet e policisë rreth këtij rasti.
Tutje, thuhet se shërbimi i Zjarrfikësve dhe Emergjenca do të jenë në gjendje gatishmërie dhe të pranishëm në një zonë të sigurt, për të reaguar në rast nevoje.
“Policia do të njoftojë banorët përreth dhe do të sigurojë që, në datën dhe orët e lartcekura, të mos ketë persona jashtë shtëpive. Këshillohet që banorët brenda rrezes 1000 metra të largohen nga shtëpitë para fillimit të operacionit dhe të qëndrojnë larg deri në përfundim të eksplodimit”, thuhet tutje në këtë njoftim të Policisë së Kosovës.



