Gjendja e futbollistit të SC Gjilani, Oltion Bilalli, po normalizohet gradualisht, ka bërë të ditur për Storm shefi i Mjekimit Intensiv Qendror në QKUK, Dr. Shaqir Uka.
Uka ka thënë se gjendja e futbollistit kosovar është stabile dhe se të njëjtit i është kthyer vetëdija e plotë dhe se ai i ka njohur ata që i kishte afër, duke shfaqur stabilitet.
“Pacienti për të cilin po pyesni është në gjendje stabile. I është kthyer vetëdija e plotë”, ka thënë Uka.
Bilalli u lëndua në xhiron e fundit pas një dueli në ajër me portierin e Malishevës, Ilir Avdyli duke përfunduar në tokë pa ndjenja, për t’u transferuar më pas me autoambulancë në spitalin e Gjilanit e prej aty në QKUK në Prishtinë.
Nën përkujdesjen intensive të mjekëve, futbollisti kosovar fatmirësisht ia doli mbanë dhe e përballoi me sukses gjakderdhjen e brendshme që e kishte në kokë.
Atij i uruan shërim të shpejtë futbollistët, por edhe sportistët në përgjithësi, klubet dhe figurat e njohura në Kosovë.



