“Rënia e Shën Petersburgut”: NATO kërcënon shkatërrimin e Rusisë
Një ish-gjeneral i NATO-s ka paralajmëruar Vladimir Putinin se çdo sulm ndaj Polonisë ose shteteve baltike do të çojë në shkatërrimin e Shën Petersburgut.
Rajmund Andrzejczak, ish-Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Polonisë dhe tani drejtues i podcast-it Ground Zero, i tha gazetës gjermane Bild se Rusia do të përbënte një kërcënim real për NATO-n nëse arrin të mposhtë Ukrainën. “Ukraina po na blen disa vite kohë. Nëse Rusia fiton në Ukrainë, do të kishim një divizion rus në Lviv, një në Brest dhe një në Grodno. Polonia dhe Lituania do të ishin të rrethuara nga forcat ruse,” shpjegoi ish-gjenerali.
Megjithatë, ai paralajmëroi se një sulm rus ndaj çdo vendi të NATO-s do të kishte pasoja shkatërruese.
“Nëse Rusia sulmon qoftë edhe një pëllëmbë të territorit lituanez, përgjigja do të vijë menjëherë. Jo në ditën e parë, por në minutën e parë. Ne do të godasim të gjitha objektivat strategjike brenda një rrezeje prej 300 km. Do të sulmojmë drejtpërdrejt Shën Petersburgun,” paralajmëroi ai.