Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë u ka bërë thirrje të gjitha kompanive që janë të listuara për të kaluar në tregun e hapur të energjisë, që ta nënshkruajnë peticionin e nisur tash e një kohë kundër vendimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për procesin e shpejtë të liberalizimit të tregut të energjisë në Kosovë.
DhTIK ka thënë se ky proces sjellë pasoja të dëmshme për bizneset, konsumatorët dhe stabilitetin ekonomik të vendit.
“DhTIK që nga fillimi e ka kundërshtuar këtë vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, duke i kërkuar që një proces i tillë të pezullohet menjëherë, pasi që vet ky institucion përballet me mungesë stafi të mjaftueshëm për mbikëqyrje efektive dhe dyshohet për ndikime të operatorit dominues. Gjithashtu bizneset, nuk kanë platformë publike për krahasimin e ofertave, e as qasje të drejtë në informata për kontrata dhe kushtet. Bizneset tona anëtare kanë njoftuar se aktualisht çmimi i energjisë që po ofrohet është mbi 200 % më i shtrenjtë. Andaj DhTIK është duke e realizuar peticionin për mbledhjen e nënshkrimeve nga të gjitha kompanitë që janë të listuara për të kaluar në treg të lirë të energjisë. Më këtë rast ne ju bëjmë thirrje të gjitha kompanive që ta nënshkruajnë peticionin, i cili gjendet në vegëzën: https://shorturl.at/jTyKA ose ta kërkojnë në e-mailin: dhtikosove1@gmail.com dhe të njëjtin ta dërgojnë të plotësuar në adresën: dhtikosove1@gmail.com apo shënoni në Viber/WhatsApp +38349201212”, thuhet në njoftimin e kësaj shoqate të bizneseve.
Përpara hapjes së tregut të energjisë në Kosovë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, ka kërkuar që fillimisht të përmbushen këto kushte para hapjes së tregut të energjisë në Kosovë:
1. Përgatitje ligjore dhe udhëzime të qarta zbatimi
2. Krijimi i konkurrencës reale në treg
3. Mbikëqyrje efektive nga ZRRE
4. Transparencë për konsumatorët
5. Fazë kalimtare dhe e vullnetshme
6. Garanci për furnizim të qëndrueshëm dhe të përballueshëm
“Nëse këto pika nuk përmbushen, hapja e tregut në formën aktuale përpos që tashmë ka vërtetuar paralajmërimin tonë për rritje enorme të çmimit të energjisë, sjellë edhe humbje të stabilitetit financiar për bizneset dhe përfitime vetëm për operatorin. Asnjë shtet në Evropën Juglindore nuk e ka liberalizuar tregun e energjisë në mënyrë kaq të detyruar, të menjëhershme dhe pa faza kalimtare, siç po e kërkon aktualisht ZRRE në Kosovë për bizneset. Andaj, rekomandojmë që vendimi i ZRRE-së të pezullohet menjëherë dhe të rishikohet duke u bazuar në parimet e konkurrencës së ndershme, mbrojtjes së konsumatorit dhe përgatitjes ligjore dhe institucionale”, thuhet tutje në njoftim.



