Basha kundër qeverisë për kushtet sociale të pensionistëve: “Qeveria nuk ka dhembshuri, Shqipëria meriton më shumë!”
storm•/Shqipëria: Kryetari i Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, ka reaguar ashpër lidhur me vendimet e fundit të qeverisë shqiptare për kushtet sociale në të cilat po jetojnë pensionistët.
“Në vend që t’u shërbejë qytetarëve, kjo qeveri i shërben vetes dhe i ka braktisur plotësisht pensionistët në nevojë. Zërat e tyre të mbushur me dhimbje dhe zhgënjim janë dëshmia më e qartë e dështimit të kësaj qeverie,” tha Basha.
Ai theksoi se pensionistët shqiptarë janë prekur rëndë nga rritja e çmimeve, kostot e larta të jetesës, taksat e rritura dhe abuzimet korruptive. Sipas tij, indeksimet e ofruara nga qeveria janë “qesharake” dhe përfaqësojnë një “lëmoshë” të një qeverie që ka humbur lidhjen me hallet e njerëzve.
“Një pushtet i tejzgjatur dhe i pamerituar, që nuk kujdeset për pensionistët, duhet ndëshkuar me votë,” theksoi Basha, duke premtuar një qasje më të kujdesshme nga partia e tij për këtë kategori të rëndësishme të shoqërisë.
Në programin e Demokratëve Euroatlantikë, Basha zotohet për reformimin e sistemit të pensioneve, duke synuar rritjen vjetore prej të paktën 5% dhe indeksimin me dyfishin e vlerës së inflacionit. Për pensionet më të ulëta, ai premtoi një bonus të përhershëm prej 250 mijë lekësh të vjetra.
Sipas Bashës, modernizimi i sistemit të pensioneve, ulja e taksave, mirëadministrimi dhe lufta kundër korrupsionit do të mundësojnë ringritjen e skemës së pensioneve në përputhje me praktikat më të mira europiane dhe do të zhdukin diferencat e mëdha mes pensioneve të larta dhe të ulëta.
“Shqipëria meriton më shumë!” përfundoi ai.