Dy gazetarë janë vranë në sulmet izraelite në Rripin e Gazës të enjten, duke e çuar numrin total të gazetarëve të vrarë që nga fillimi i luftës në 217 sosh, kanë bërë të ditur autoritetet lokale të drejtuara nga “Hamasi”, ka raportuar të premten (më 16.05.2025) televizioni britanik, BBC.
Lufta në Gazë është kthyer në njërin nga konfliktet më vdekjeprurëse ndonjëherë për punonjësit e medias. Të paktën një gazetar është vrarë çdo muaj në këtë konflikt.
Pavarësisht kësaj, shumë nga kolegët gazetarë ende po raportojnë nga terreni, duke pasqyruar përditë sulmet izraelite.
Izraeli nuk lejon gazetarët ndërkombëtarë, përfshirë ata të BBC-së, të futen në Gazë. Shumica e organizatave mediatike tani mbështeten te gazetarët vendas.
“Dje fola me gazetarin e pavarur Shu’aib Yousef, i cili ende raporton nga Gaza. Ai më tha se gazetarët atje nuk ndihen më të mbrojtur”, ka thënë Adnan El Bursh, reporter i programit arabisht i BBC-së.
“Pavarësisht se mbajmë helmeta dhe tabelat ‘Press’ në automjetet tona në shumë gjuhë, ne po shënjestrohemi”, i ka thënë Yousef kolegut Bursh.
Shu’aib u ka bërë thirrje organizatave të të drejtave të njeriut që të punojnë me autoritetet izraelite që të ndalen sulmet ndaj punonjësve të medias.
Izraeli ka mohuar se ka shënjestruar qëllimisht gazetarët dhe ka theksuar se po përpiqet të shmangë dëmtimin e civilëve.



