Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump, ka zbuluar detaje mbi arsyet që e shtynë të investojë në ndërtimin e një resorti luksoz në ishullin e Sazanit.
Gjatë fjalës së tij në Samitin Ekonomik Ndërkombëtar “Future Investment Initiative Europe” që po mbahet në Tiranë, Kushner tregoi se Shqipërinë e zbuloi rastësisht gjatë pushimeve në vitin 2021, ku potenciali i pazbuluar i vendit e bënë që të fokusohet në investimet.
Një nga arsyet pse vendosi të investonte në ishullin e Sazanit, Kushner rendit edhe ndërtimin e aeroportit të Vlorës që i jep edhe më shumë rëndësi zonës dhe turizmit.
Gjithashtu, shtoi ai, qeveria shqiptare kishte krijuar një klimë pozitive për investimet e huaja.
Kushner e përshkroi vendndodhjen si strategjike, ndërsa theksoi angazhimin për ruajtjen e mjedisit.
“Ajo që e bën këtë zonë kaq të veçantë është pikërisht natyra që ka. Duhet të sigurohemi që e ruajmë realisht mjedisin. Por gjithçka ka të bëjë me vendndodhjen, ky projekt është 60 milje nga Italia, 60 milje nga Korfuz, dhe siç thashë, do të hapet një aeroport i ri shumë afër. Vetëm 10 minuta larg projektit. Bukuria natyrore është e jashtëzakonshme, vendndodhja është e mrekullueshme dhe jemi pikërisht në zemër të Mesdheut”, tha Kushner.
Kushner shtoi gjithashtu se mes arsyeve se pse ai zgjodhi të investonte në Shqipëri, ishte pikërisht edhe vizioni që kishte kryeministri Edi Rama për zhvillimin e vendit.
“Rama është një politikan shumë i zoti, i fuqishëm dhe lider i zgjuar, artist, dhe ai kishte një krijimtari të madhe për vizonin e zhvillimit të Shqipërisë dhe isha i intriguar”, tha ai.
INTERVISTA E PLOTË
Pyetje: Më thuaj fillimisht si e zbulove këtë vend dhe pse vendose që të investosh këtu?
Kushner: Isha me pushime në verën e 2021 ku ne lamë qeverinë dhe pas vizitës tonë me varkë në Korfuz kaluam disa ditë në Shqipëri. Në një nga ditët erdhi edhe kryeministri Edi Rama, të cilin nuk e kisha takuar gjatë kohës që ishim në qeveri në SHBA, por isha shumë i impresionuar nga vizioni që ai kishte për Shqipërinë e së ardhmes. Nuk dija asgjë për vendin, nuk e kuptoja historinë e tij, apo pjesën e errët të historisë së komunizmit duke e lënë një vend të pazhvilluar. Rama është një politikan shumë i zoti, i fuqishëm dhe lider i zgjuar, artist, dhe ai kishte një krijimtari të madhe për vizonin e zhvillimit të Shqipërisë dhe isha i intriguar. Aty pash natyrën e mahnitshme të vendit, ujin, sportet ujore, hiking, dhe vendi kishte një bukuri natyrore por askush dukej se nuk kuptonte apo nuk e dinte. Pastaj, rreth një vit më vonë, nisëm të shikonim mundësi në Ballkan, dhe partneri që udhëhiqte këtë iniciativë më tha: “Le të shkojmë në Shqipëri.” Kisha një përvojë shumë të mirë atje. Shkuam të shihnim nëse kishte ndonjë mundësi. U tërhoqëm menjëherë nga vendi ku po ndërtohej aeroporti në Vlorë. Dhe është e qartë që një vend që ndërton një aeroport buzë detit, e bën këtë në vendin që mendon se është më i bukuri. Pra shkuam atje, kërkuam për mundësi, dhe gjetëm disa mundësi të jashtëzakonshme. E gjithë kjo nisi nga një pasion, dhe nga dëshira për të ndërtuar diçka që mendojmë se mund të jetë vërtet unike në botë
Pyetje: Ju jeni një ekspert në kuptimin e qeverive dhe trendeve në vende të ndryshme. Si u ndjetë rehat në këtë treg? Dhe deri më sot, si është përvoja juaj në terren?
Kushner: Si shumë gjëra që përfundojnë mirë, ka momente kur mendon: “A ia vlen vërtet kjo? Pse po e bëj këtë?” Por isha shumë i intriguar. Kaluan rreth një vit duke kuptuar tregun, demografinë, trendët, vendi po rritet me dyfishin e ritmit të Europës. Por pastaj duhej të pyesnim: A është ky një vend që, ndonëse ka një reputacion të përzier historikisht, do të jetë një vend i pastër? A do të bëjë qeveria atë që premton? A do të marrësh lejet pa “lojëra të pista”? A do t’i mbajnë premtimet? Kaluam një vit duke njohur vendin, duke kuptuar tregun para se të angazhoheshim. Por sa më shumë punonim në dizajnin e projektit, aq më shumë dashuroheshim me atë që po krijonim dhe ndjemë që ambienti ishte perfekt. Por pa punën e shkëlqyer të ekipit në terren, të partnerëve tanë dhe të qeverisë që krijoi një ambient shumë pro-rritjeje, nuk do të kishim hyrë në projekt. Dhe një nga pohimet më të mira ishte kur… Kur u bë publike që po e zhvillonim këtë projekt, “New York Times” tha: “Ka një sërë ligjesh që janë ndryshuar që ndihmojnë projektin tuaj. A ndodhën për ju këto?” Dhe unë thashë: “Nuk dija asgjë për këto ligje.” Por partneri im më tha se këto ishin arsyet pse vendosëm të ecnim përpara. “New York Times” e pranoi që këto ishin ligje pro-zhvillimit. Këto janë ligje që vendosen për të inkurajuar zhvillimin dhe ndryshimin. Dëgjoja panelin e fundit ku flisnin për çfarë duhet bërë që zonat të zhvillohen, dhe qeveria shqiptare po bën pikërisht këto gjëra, tërheqje investimesh, fitime, mirëqenie që sjell vëmendje, që sjell luftë kundër terrorizmit, rritje të vendeve të punës, rritje pagash. Pra, po ndodhin të gjitha gjërat e duhura, dhe ndihem shumë krenar që e ndaj këtë. Marr shumë komente pozitive nga shqiptarët sa herë që vij në vend. Shumë prej tyre më falënderojnë që i kam sjellë kaq shumë promovim vendit të tyre, të cilin unë e konsideroj një thesar të vërtetë.
Pyetje: Na trego më shumë për këtë projekt, që ndodhet ndoshta në një nga zonat më të bukura të vendit, por edhe të Mesdheut. Mund të na tregoni më shumë për projektin dhe si planifikoni të ruani mjedisin natyror përmes procesit të zhvillimit?
Kushner: Ajo që e bën këtë zonë kaq të veçantë është pikërisht natyra që ka. Prandaj kemi angazhuar një nga inxhinierët më të mirë në Europë për të na ndihmuar me programet e duhura të ruajtjes së mjedisit. Nëse nuk e respektojmë ambientin, zhvillimi që do të bëjmë atje nuk do të jetë i veçantë. Duhet të sigurohemi që e ruajmë realisht mjedisin. Ka madje një histori që thotë se po pengonim një deltë lumi, por ajo ishte shumë milje larg dhe nuk kishte lidhje me projektin tonë. Mendoj se kemi arritur të bindim njerëzit për ta kuptuar këtë. Kur të publikojmë planet, do të shihet si kemi përqafuar ambientin lokal dhe jemi përpjekur të bëjmë diçka që ruan gjithçka. Por gjithçka ka të bëjë me vendndodhjen, ky projekt është 60 milje nga Italia, 60 milje nga Korfuz, dhe siç thashë, do të hapet një aeroport i ri shumë afër. Vetëm 10 minuta larg projektit. Bukuria natyrore është e jashtëzakonshme, vendndodhja është e mrekullueshme dhe jemi pikërisht në zemër të Mesdheut. Por, për shkak të historisë së keqe të vendit deri në vitet ’90, Shqipëria mbeti e pazhvilluar. Dhe nuk të jepet shpesh mundësia të ndërtosh diçka të re në Mesdhe. Kemi investuar shumë kohë, përpjekje dhe kapital për ta çuar përpara këtë projekt dhe mendoj se do të arrijmë të bëjmë diçka spektakolare dhe do e lançojmë shumë shpejt.
Pyetje: Kush do të jenë blerësit? Kush do të jenë vizitorët? Si shpresoni t’i tërhiqni?
Kushner: E vetmja që e di me siguri është vetja ime, gruaja dhe familja ime. Pra, po e dizajnojmë këtë vend në mënyrë që të jetë një vend ku ne do të donim të kalonim verën. Dhe sa herë ua tregoj miqve tanë, ata më thonë: “Duam edhe ne një vend aty pranë.” Po tërheqim disa nga markat më të njohura në botë që duan të bëhen pjesë e kësaj. Dhe mendoj se do të jetë e jashtëzakonshme. Pra, po e dizajnojmë si vendi ku ne vetë do të donim të kalonim verën, dhe nëse e realizojmë mirë, besoj se edhe shumë familje të tjera do të duan të kenë një shtëpi aty ose ta vizitojnë shpesh.
Pyetje: Kur e nisët “Affinity Partners”, nuk mendoj se pasuritë e paluajtshme ishin pjesë e strategjisë tuaj. Si ndodhi që vendosët të bëni këtë ndryshim? A mund të na tregoni edhe për investime të tjera që po konsideroni në Europë? Çfarë mundësish shihni në këtë pjesë të botës?
Kushner: Kur isha në sektorin e pasurive të paluajtshme, gjithmonë më tërhiqnin tregjet që ishin të nënvlerësuara, por kishin të gjithë elementët e duhur. Të gjitha këto kishin të njëjtën gjë me Shqipërinë, themeli i duhur, por njerëzit nuk e kuptonin ende. Ndihesha sikur ishim dhjetë vjet përpara trendit. Po ashtu, përmasa, shkalla e mundësive dhe elementi qeveritar që ndihmon zhvillimin. Kemi pasur shumë sukses në Europë. Nuk kemi bërë shumë, por kemi investuar në një kompani në Gjermani që tani ka dyfishuar vlerën. Rritja e tyre ka qenë e jashtëzakonshme. Po ashtu kemi investuar në Revolut, që është ndoshta platforma më e mirë e teknologjisë financiare që është ndërtuar ndonjëherë. Po rritet me shpejtësi të jashtëzakonshme dhe jemi shumë krenarë për këtë. Ne jemi të foksura në SHBA, por emndj se Europa është gjitahstu një mundësi shumë e mirë për të inevstuar dhe me potenciale të ëmdha
Pyetje: A ka ndryshuar strategjia juaj e investimeve që kur vjehrri juaj, Presidenti Trump, mori detyrën? Dhe nëse po, si dhe çfarë shihni në strategjinë tuaj për tregje të tjera të hapura?
Kushner: Vazhdojmë të bëjmë atë që kemi bërë gjithmonë. Kemi investuar tashmë rreth 2.5 miliardë dollarë. Më shumë se gjysma është në SHBA. Kemi disa investime ndërkombëtare, ku mendojmë se tregjet dhe mundësitë janë të çmueshme. Po shohim edhe mundësitë për të investuar në Marok apo Lindjen e Mesme dhe po shoh gjithmonë vende ku investuesit mund të kenë interes dhe ndikim ekonomik dhe të nxjerrim në pah potencialin më të madh të vendeve të ndryshme. Investimet ne i shkojmë edhe si një mënyrë për të sjellë njerëzit bashkë, për të krijuar lidhje, për të nxitur ekonominë e tyre dhe të shihen si prosperitet për vendet. Investimet sjellin punë dhe zhvillim për njerëzit.