
Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në Karolinën e Veriut, ku një delfin me kokë të prerë është gjetur i shpërlarë në një nga plazhet piktoreske të rajonit. Autoritetet amerikane kanë nisur një hetim federal, duke e cilësuar ngjarjen si një akt të qëllimshëm dhe kriminal. Një shpërblim deri në 20 mijë dollarë është ofruar për informacion që çon në identifikimin e autorit.

Delfini u gjet muajin e kaluar në ishullin Lea-Hutaff, një zonë e largët dhe e pazhvilluar në veri të Wilmington-it, e aksesueshme vetëm me varkë. Sipas ekspertëve nga Universiteti i Karolinës së Veriut në Wilmington, bëhet fjalë për një delfin me gjatësi rreth tetë metra, që ishte “qëllimisht i gjymtuar” dhe “i prerë në kokë”.

Kjo përbën shkelje të rëndë të Aktit për Mbrojtjen e Gjitareve Detarë, i cili ndalon çdo formë dëmtimi, vrasjeje apo mbledhjeje të pjesëve të trupit të tyre. Shkelja e këtij ligji mund të rezultojë në gjoba deri në 100 mijë dollarë dhe një vit burg.

Në momentin e gjetjes, ekspertët dyshuan se delfini mbante bakterin Brucella, shkaktar i sëmundjes zoonotike Brucelozë, që mund të transmetohet edhe te njerëzit.

Ndërkohë, rezultatet përfundimtare të autopsisë ende nuk janë publikuar.
Autoritetet bëjnë thirrje për bashkëpunim nga publiku dhe ftojnë këdo që ka informacion të kontaktojë linjën zyrtare të NOAA.

Ngjarje të ngjashme janë raportuar edhe më parë, përfshirë një rast në nëntor 2024 në New Jersey, ku një tjetër delfin u gjet i gjymtuar rëndë.