Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka mikëpritur në Romë bisedimet transatlantike trepalëshe, me SHBA, Komisionit Evropian.
Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen i theksoi si një “fillim të ri” të mundshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare midis dy blloqeve.
Në komentet hapëse të zëvendëspresidentit amerikan JD Vance, ai e quajti Evropën “një aleat të rëndësishëm” edhe pse të dy anët e Atlantikut “kanë disa mosmarrëveshje, siç kanë ndonjëherë miqtë, për çështje si tregtia”.
Von der Leyen nënvizoi partneritetin e rëndësishëm tregtar midis dy palëve.
“Në të vërtetë, ne kemi marrëdhënien më të madhe tregtare në botë, me më shumë se 1.5 trilion dollarë në vit, shumë të ndërthurura. Të gjithë e dinë se djalli fshihet në detaje, por ajo që na bashkon është se në fund duam, së bashku, të kemi një marrëveshje të mirë për të dyja palët”, tha ajo.
Ajo gjithashtu e shfrytëzoi momentin për ta vënë Ukrainën në tryezë dhe për të falënderuar SHBA-në për angazhimin e saj në dëshirën për t’i dhënë fund luftës gjithëpërfshirëse të Rusisë në Ukrainë.
“Ajo që është e rëndësishme tani është sigurisht që ne të shtyjmë përpara, që gjërat të ecin përpara dhe mendoj se java e ardhshme do të jetë vendimtare për këtë”, vuri në dukje von der Leyen.
Përtej Ukrainës, çështja e fundit e ngritur ishte mbrojtja. Von der Leyen pranoi nevojën që vendet anëtare të BE-së të rrisin investimet në mbrojtje, duke thënë se Komisioni Evropian ka ndërmarrë hapa për ta lehtësuar këtë.
“Kjo është arsyeja pse, si Komision (Evropian), ne kemi mundësuar përdorimin e deri në 800 miliardë eurove në katër vitet e ardhshme për investime në mbrojtje”, tha von der Leyen.
Më herët të dielën, Meloni, von der Leyen dhe Vance kishin marrë pjesë të gjithë në meshën e inaugurimit të Papa Leo XIV në Vatikan.