Shërbimi Klinik Universitar i Kosovës ka njoftuar se në Klinikën e Otorinolaringologjisë të Qendrës Klinike dhe Universitare të Kosovës është shpëtuar jeta e një fëmije 5-vjeçar, i cili kishte aspiruar një farë të paqëruar luledielli që kishte bllokuar rrugët kryesore të frymëmarrjes.
Në njoftimin e SHSKUK thuhet se falë reagimit të shpejtë të ekipit kujdestar të ORL-së, i udhëhequr nga dr. Flamur Ukaj, otorinolaringolog, dhe bashkëpunimit të menjëhershëm me ekipin kujdestar të Anesteziologjisë, nga dr. Valmir Idrizi, u realizua me sukses ndërhyrja urgjente (trakobronkoskopi rigjid), me ç’rast u largua trupi i huaj dhe u shpëtua jeta e fëmiut.

SHSKUK bëri të ditur se fëmija është në gjendje stabile dhe është lëshuar në shtëpi pa komplikime.
“QKUK, apelon tek të gjithë prindërit që të kenë kujdes të shtuar ndaj fëmijëve të vegjël, duke shmangur kontaktin me trupa të huaj si fara, kikirikë, pjesë të vogla lodrash etj., pasi mund të paraqesin rrezik serioz për jetën e tyre”, thuhet tutje në njoftim.
Në ekip morën pjesë edhe instrumentarja e sallës së ORL-së dhe specializantët nga ORL dhe Anrsteziologjia.



