Real Madridi ka konfirmuar të enjten se Luka Modriç do të largohet nga skuadra në fund të sezonit.
Mesfushori kroat ndeshjen e fundit në stadiumin “Bernabeu” do ta luajë të shtunën ndaj Real Sociedad, ndërsa do të largohet pas Kupës së Botës për Klube.
“Real Madridi dhe kapiteni Luka Modriç janë pajtuar që ta mbyllin periudhën e paharrueshme në fund të Kupës së Botës për Klube, ku skuadra jonë do të luajë prej 18 qershorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, konfirmoi klubi.
Kroati 39-vjeçar ka zhvilluar 590 ndeshje për gjigantin spanjoll ndërsa ka shënuar 43 gola qëkur u transferua nga Tottenham në vitin 2012.
Ai u bë edhe lojtari më i dekoruar në historinë e Real Madridit, duke fituar ndër të tjera katër tituj në La Liga dhe gjashtë Champions League, mes 28 trofeve që i ka me klubin mbretëror pas 13 vjetësh.
Në vitin 2018, ai fitoi “Topin e Artë” për rolin që e pati te Real Madridi në suksesin e dyfishtë të Real Madridit, dhe në rrugëtimin e Kroacisë deri në finale të Kupës së Botës.
Ai u bë lojtari i parë që frenoi dominimin për vite me radhët të Lionel Messit dhe Cristiano Ronaldos për këtë çmim.
Largimin e ka bërë të ditur edhe mesfushori kroat.
“Të dashur tifozë të Madridit. Koha ka ardhur. Momenti që nuk doja të vijë kurrë, por ky është futbolli, dhe në jetë çdo gjë e ka fillimin dhe fundin. Të shtunën do ta luajë ndeshjen e fundit në Santiago Bernabeu”, thekson mes tjerash Modriç.
Ai theksoi se Real Madridin do ta konsiderojë gjithmonë si shtëpinë e tij.
“Po largohem me zemër të plotë. Plot krenari, mirënjohje dhe kujtime të paharrueshme. Edhe pse, pas Kupës së Botës për Klube, nuk do ta vesh më këtë fanellë në fushë, do të jem gjithmonë një tifoz i Real Madridit. Do të shihemi përsëri. Real Madridi do të jetë gjithmonë shtëpia ime. Gjatë gjithë jetës”, shkruan mes tjerash mesfushori kroat.
Të dashur tifozë të Madridit,
Erdha në vitin 2012 me dëshirën për të veshur fanellën e ekipit më të mirë në botë dhe me ambicien për të bërë gjëra të mëdha, por nuk mund ta imagjinoja se çfarë do të vinte më pas. Të luaja për Real Madridin më ndryshoi jetën si futbollist dhe si person. Jam krenar që kam qenë pjesë e një prej epokave më të suksesshme të klubit më të mirë në histori. Dua ta falënderoj klubin nga thellësia e zemrës, veçanërisht presidentin Florentino Perez, shokët e ekipit, trajnerët dhe të gjithë njerëzit që më kanë ndihmuar gjatë gjithë kësaj kohe. Gjatë këtyre viteve kam përjetuar momente të pabesueshme, rikthime që dukeshin të pamundura, finale, festime dhe netë magjike në Bernabeu… Fituam gjithçka dhe isha shumë i lumtur. Shumë shumë i lumtur. Por, përtej titujve dhe fitoreve, unë mbaj në zemër dashurinë e të gjithë tifozëve të Madridit. Vërtet nuk di si ta shpjegoj lidhjen e veçantë që kam me ty dhe sa i mbështetur, i respektuar dhe i dashur jam ndjerë dhe ndihem. Nuk do ta harroj kurrë çdo duartrokitje dhe të gjitha gjestet e përzemërsisë që më keni treguar. Duke u larguar me zemër të plotë. I mbushur me krenari, mirënjohje dhe kujtime të paharrueshme. Edhe pse, pas Kupës së Botës për Klube, nuk do ta vesh më këtë fanellë në fushë, do të jem gjithmonë një tifoz i Madridit. Hala Madrid dhe asgjë tjetër!



