Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Prishtinës, Fehmi Kupina, ka dalë hapur në mbështetje të punëtorëve të Kompanisë ”Pastrimi”, duke kritikuar qasjen institucionale ndaj situatës aktuale me grevën dhe kushtet e punës së tyre.
Në një postim në Facebook, Kupina ka shprehur “shqetësim të thellë” për krizën në menaxhimin e mbeturinave në qytet dhe ka kërkuar me urgjencë një zgjidhje të drejtë për kërkesat e punëtorëve.
Ai ka theksuar se, pavarësisht se kush mban përgjegjësinë institucionale, “punëtorët nuk janë fajtorët” dhe ka kujtuar sakrificën e tyre gjatë pandemisë, kur sipas tij “rrezikonin jetën për të mbajtur pastër qytetin”.
“Punëtorët e Pastrimit kanë kërkesa të drejta dhe legjitime. Ata janë heronjtë tanë të heshtur dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet me seriozitet dhe përgjegjësi,” tha Kupina në reagimin e tij, duke u bërë kështu zëri i vetëm institucional që u del publikisht në krah grevistëve.
Ky qëndrim vjen në një moment tensioni institucional, ku qasja e Kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, ndaj situatës nuk ka marrë përkrahjen e një pjese të Kuvendit.
Kjo përplasje e hapur mes dy figurave kryesore të institucioneve lokale shihet si tregues i një krize të brendshme politike që mund të thellohet në ditët në vijim, nëse nuk gjendet një rrugë kompromisi për punëtorët dhe për qytetin që tashmë po përballet me pasojat e një krize higjienike.