Shefja e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Kaja Kallas pas takimit në Shkup me kryeministrin Hrisitjan Mickoski, paralajmëroi se ka mundësi për lëvizje, lidhur me bllokadën e rrugës së integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE, për shkak të mosmiratimit të ndryshimeve kushtetuese, të cilat i kërkon Bullgaria.
“Rruga deri në anëtarësim nuk është e lehtë dhe porosia e ime sot është që të mbeteni në të njëjtin drejtim. T’i ndërmerrni hapat e nevojshme për hapjen e bisedimeve hyrëse”, tha Kaja Kallas, përfaqësuese e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
“Është e qartë se duam që Maqedonia e Veriut me të vërtetë të lëvizë nëpërmjet kësaj rruge dhe e dimë se ka pengesa. Atë e diskutuam sot që të mundemi të gjejmë mekanizma që të tejkalohen ato pengesa. Gjithsesi kryeministri mund t’i sqarojë idetë e tij, por vlerësoj se ka hapësirë ku mundemi të bëjmë diçka, nuk do të hyja në detaje. Në qoftë se lëvizim, atëherë do ta publikojmë para mediave”, theksoi Kaja Kallas.
Mickoski nga ana tjetër, theksoi se vendi është i gatshëm për zgjidhje të ngërçit me Bullgarinë, megjithatë ajo duhet të jetë e qëndrueshme dhe e dinjitetshme.
“Sot, kërkova trajtim korrekt. Kërkova qëndrueshmëri. Evropa të tregojë lidership, i cili do të sjellë diçka me vlerë për qytetarët në realitet. Të kthehet besimi në idenë evropiane, veçanërisht te të rinjtë”, u shpreh Hristijan Mickoski, kryeministër.
“Dora jonë mbetet e shtrirë. Ne jemi të hapur për miqësi, dialog dhe bashkëpunim. Por ne qëndrojmë të vendosur, të drejtë dhe dinjitoz – me porosi të qartë: jemi gati. Evropa mund të mbështetet te ne – dhe tani është koha që ne të fillojmë të mbështetemi te Evropa”, theksoi Hristijan Mickoski, kryeministër.
Kallas gjatë ditës ka realizuar takime edhe me ministrin e Jashtëm, Timço Mucunski dhe atë të Mbrojtjes, Vllado Misajllovski.
Kallas viziton Shkupin, derisa ende nuk ka një strategji të qartë se vendi do ta tejkalojë veton e Bullgarisë për fillimin e negociatave, e cila kërkon që të futen bullgarët në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.
Ky kusht, është pjesë e kornizës negociuese, ndërsa Bullgaria këmbëngul që për të nuk ka çfarë të rinegociohet.
Megjithatë, Maqedonia e Veriut kërkon garanci që të mos përsëritet ngecja, me ndonjë veto tjetër eventuale në lidhje me çështjet bilaterale.