spot_img
E shtunë, 22 Nëntor, 2025
08:19
HomeKosovaDrejtësiaRrëfim tronditës në gjyq: “Shaqir Lutvija më rrahu se isha shqiptar”

Rrëfim tronditës në gjyq: “Shaqir Lutvija më rrahu se isha shqiptar”

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Dëshmitari Sefer Ejupi gjatë dhënës së dëshmisë të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, deklaroi se emrin e të akuzuarit për krime lufte, Shaqir Lutvija nuk e ka ditur kur e maltretoi në Stacionin Policor në Prizren, por e identifikoi bazuar në nishanin që ka në fytyrë.

“Pak puçërr ka pas, tash ju ka rritë ma shumë. S’ka pas mustaqe, mjekër apo flokë”, deklaroi dëshmitari Ejupi.

- Advertisement -

Në këtë rast, Shaqir Lutvija akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, ka kryer krime lufte, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ejupi tha se në Stacionin Policor në Prizren për shkak të goditjeve me grushte kishte vdekur personi me emrin Ramadan. Tha se ai ishte goditur edhe në pjesë e zemrës.

- Advertisement -

Duke folur për maltretimet që i kishte përjetuar tani i ndjeri Ramadan, dëshmitari tha se e kishte pasur larg nga vetja vetëm dy metra e gjysmë dhe se e kishte kuptuar se kishte vdekur pasi që pas maltretimit e kishte prekur me duar dhe e kishte kuptuar se viktima e kishte trupin e ftohur.

Dëshmitari Ejupi rrëfeu se si rezultat i maltretimeve këmbët iu kishin ënjtur dhe nuk kishte mundur t’i mbathë këpucët. Tha se rrahjen e kishte pasur nga i akuzuari Lutvija dhe vetëm për arsye se është shqiptar.

“Ai m’ka rreh, ai është krejt, veç që jam shqiptar, argat i Serbisë është”, tha Ejupi.

Gjithnjë sipas dëshmitarit Ejupi, pas rrahjes ishte larguar nga Prizreni dhe kishte shkuar te një person me emrin Murat, ku edhe kishte qëndruar pak dhe se një kohë të caktuar kishte fjetur në një fushë të mbjellë me misër për shkak se ishte i rrahur dhe nuk kishte mundur të ecte.

“Në kallamoq kam fjet zhag bre zhag”, deklaroi Ejupi.

Më pas seanca u ndërpre për të vazhduar në seancat e radhës me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Në këtë gjykim, mbrojtësja e të akuzuarit Lutvija, avokatja Jovana Filipoviq kërkoi që masa e paraburgimit t’i zëvendësohet me arrest shtëpiak dhe dorëzani, por një kërkesë e tillë u refuzua nga trupi gjykues.

Paraprakisht, lidhur me kërkesën e avokates Filipoviq, prokurori special Ilir Morina tha se masa e dorëzanisë nuk duhet të aplikohet nga ana e Gjykatës.

Sipas tij, kur kjo masë është aplikuar në rastin ndaj Tomislav Pantiq për krime lufte, i njëjti është arratisur në Beograd.

“Ky është shembulli klasik që tregon se dorëzania nuk vlen te krimet e luftës, nuk duhet të aplikohet…”, deklaroi prokurori Morina.

Në seancën fillestare të mbajtur më 17 shtator 2024, Lutvija u deklarua i pafajshëm për akuzën që i vihet në barrë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 4 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Shaqir Lutvijës, i cili akuzohet se në cilësinë e inspektorit dhe policit në Stacionin Policor në Prizren, individualisht dhe në bashkëkryerje me persona të tjerë të forcave policore serbe, gjatë periudhës kohore 1998-1999, në Prizren, gjatë kohës së luftës në Kosovë, ka ushtruar masat represive të vrasjes, arrestimit, rrahjes, maltretimit dhe trajtimit çnjerëzor.

Aktakuza thotë se sipas dëshmisë së dëshmitarëve: Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba, i akuzuari Lutvija nga 28 shtatori 1998 deri më 7 tetor 1998, në bashkëkryerje me pjesëtarët e tjerë të forcave policore, kanë ndërmarr një fushatë për arrestimi e tyre në burgun e Prizrenit, në cilësinë e popullatës civile të nacionalitetit shqiptar, në mesin e të cilëve ishin: R.J., dhe të lartcekurit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, forcat serbe pas arrestimit i dërguan në Stacionin Policor në Prizren, me ç’rast i akuzuari Lutvija së bashku me të pandehurit e tjerë, në cilësinë e inspektorit të këtij stacioni, i morën në pyetje të dëmtuarit dhe gjatë procesit të marrjes në pyetje i kanë rrahur me boksa e shqelma, me mjete të tjera të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor.

Në aktakuzë thuhet se Lutvija dhe të pandehurit tjerë, kanë përdorë mjete të rrymës elektrike, të cilat ua vendosnin në pjesën e duarve dhe në organe gjenitale, me ç‘rast si pasojë e kësaj R.J., kishte vdekur, kurse Murat Kabashi, Elmi Gashi, Sefer Ejupi, Vehbi Velija, Qemajl Kollari, Ukë Kolgeci, Haxhi Gashi, Safet Gashi, Hasan Shala dhe Arsim Zyba pësuan lëndime serioze trupore.

Me këtë, Lutvija po akuzohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Krime lufte kundër popullatës civile” nga neni 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të RSFJ-së.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat