Shtetet kryesore të BE-së që po mbështesin Ukrainën në luftën e saj kundër Rusisë, kanë marrë një vendim që mund të ndërroj kahjen e kësaj lufte.
Ka qenë kancelari gjerman Friedrich Merz, që ka deklaruar se aleatët perëndimorë nuk po vendosin asnjë kufizim në distancën e veprimit për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi të dërguara në Ukrainë kundër objektivave ushtarake ruse.
Merz theksoi se kufizimet janë hequr jo vetëm për armët gjermane.
“Nuk ka më kufizime në gamën e armëve të dorëzuara në Ukrainë, as nga Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe as ne. Nuk ka kufizime as nga SHBA-ja”, tha ai gjatë një forumi diskutimi të organizuar nga transmetuesi publik, WDR.
Ai deklaroi se Ukraina tani mund të “mbrojë veten, për shembull, duke sulmuar objektet ushtarake në Rusi”.
“Deri kohët e fundit, nuk mund ta bënte këtë, dhe përveç shumë pak përjashtimeve, as këtë nuk e kishte bërë”.
Kancelari gjerman theksoi se, ndërsa Kievi po përdor armët e tij për të synuar infrastrukturën ushtarake ruse, Rusia vazhdon të sulmojë “qytetet, kopshtet, spitalet dhe azilet e kujdesit” ukrainase.
“Rusia sulmon objektivat civile krejtësisht pa mëshirë, duke bombarduar qytete, kopshte, spitale dhe azile për të moshuar – Ukraina nuk e bën këtë”.
Merz zbuloi gjithashtu se kjo ishte një nga arsyet e vizitës së tij në Kiev së bashku me udhëheqësit e Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Polonisë më 10 maj.
Gjatë asaj vizite në kryeqytetin e Ukrainës, ai tha gjithashtu se të gjitha bisedimet e ardhshme për furnizimin me armë me Ukrainën do të mbaheshin konfidenciale.
Në të kaluarën, Ukraina mori raketa me rreze të gjatë veprimi nga SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, por iu lejua t’i përdorte ato vetëm kundër forcave ushtarake ruse në territoret e pushtuara ukrainase.
Sa i përket Berlinit, përpara se të merrte detyrën, Merz sinjalizoi se do të anulonte ndalimin e paraardhësit të tij, Olaf Scholz, për dërgimin e raketave kruz Taurus të Gjermanisë, të afta për të goditur objektiva në një rreze prej 500 kilometrash.
Duke folur të hënën, kancelari gjerman tha: “Askush nuk mund të na qortojë tani që nuk i kemi shteruar të gjitha mjetet diplomatike në dispozicion”.
Heqja e kufizimeve për përdorimin e armëve me rreze të gjatë veprimi do të bëjë “ndryshimin vendimtar në luftën e Ukrainës”, shpjegoi Merz, duke shtuar se “një vend që mund t’i kundërvihet një sulmuesi vetëm në territorin e vet nuk po e mbron veten në mënyrë të mjaftueshme”.