spot_img
E premte, 21 Nëntor, 2025
07:04
HomeShëndetiEksodi i Bardhë: Kosova po mbetet pa mjekë

Eksodi i Bardhë: Kosova po mbetet pa mjekë

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Largimi i mjekëve nga Kosova po merr përmasa shqetësuese. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti, 31 mjekë të rinj kanë kërkuar dokumentacionin e nevojshëm për të dalë jashtë vendit – një shifër që, sipas Odës së Mjekëve të Kosovës, pritet të dyfishohet deri në fund të vitit.

Ndërkohë, vitin e kaluar ky numër ka shkuar në 111, teksa liberalizimi i vizave ka qenë i pritur për ta shtuar largimin e tyre nga Kosova, për shkak të mundësisë së kontakteve me institucionet shëndetësore atje.

- Advertisement -

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë se mungon vullneti institucional për të ndërmarrë hapa konkretë për ndaljen e këtij eksodi.

“Deri në ditën e sotme, janë 31 kolegë të rinj, të cilët kanë marrë certifikatën e kaluarës etike, ose pastërtisë etike. Është dokumenti që kërkohet për punësim jashtë vendit, në shumicën e shteteve të perëndimit. Ky numër është pak më i vogël krahasuar me vitin e kaluar. Ajo që mund të themi është se deri në fund të vitit do ta shohim nëse trendi është i njëjtë si tri vitet e fundit, që ka pasur rritje të largimeve të mjekëve. Vitin e kaluar kanë qenë 111 mjekë. Kishim pritje që liberalizimi i vizave do ta përshpejtonte apo do ta rrite numrin e atyre që largohen, por ajo nuk rezultoi e vërtetë. Nuk pati ndikim të madh”, thotë Sejdiu.

- Advertisement -

Përballë këtij fenomeni, Oda e Mjekëve shprehet e pafuqishme, andaj Sejdiu thekson se ndaljen e mjekëve nuk mund ta bëjnë si Odë.

“Ne nuk mund t’i ndalim mjekët që duan të largohen. Gjithçka që mund të bëjmë është ta njoftojmë publikun dhe institucionet, por fatkeqësisht… askush nuk po dëgjon”.

Ndërkohë që Kosova po humb profesionistët shëndetësorë, vendet evropiane, veçanërisht Gjermania dhe Zvicra, po i mirëpresin ata me kontrata të favorshme dhe kushte pune të dinjitetshme. Sipas Sejdiut, në shumë raste, rekrutimi po bëhet përmes kontakteve të drejtpërdrejta, pa nevojë për agjenci ndërmjetëse.

Tani kemi raste kur mjekët kontaktohen direkt nga spitalet jashtë vendit. Nuk ka më nevojë për agjenci. Kjo e bën procesin edhe më të shpejtë dhe më të lehtë për ta”, u shpreh ai.

Kushtet jo të favorshme të punës, pagat e ulëta, mungesa e pajisjeve moderne dhe mbingarkesa në klinikat publike janë disa nga arsyet që po i shtyjnë mjekët drejt largimit.

Mjekët tanë nuk duan të largohen nga vendi për qejf. Por kur shohin se nuk po vlerësohen, kur s’kanë mundësi të rriten profesionalisht, zgjidhja mbetet emigrimi.

Largimi nga Kosova nuk po ndodh vetëm me valixhe në dorë, por fillon shumë më herët – në bankat e kurseve të gjuhës. Qendra të ndryshme për mësimin e gjuhës gjermane raportojnë rritje të madhe të interesimit nga profesionistët shëndetësorë.

Armend Sahiti, menaxher i Eurolingua Zentrum – Qendra e Provimeve ECL, flet për arsyet kryesore të migrimit të mjekëve dhe teknikëve medicinalë.

“Mjekët dhe teknikët medicinalë shpesh ndihen të lënë pas dore – jo vetëm në aspektin e trajtimit profesional, por edhe në pagesën që marrin. Për këtë arsye, shumica e tyre kërkojnë një jetë më të mirë jashtë vendit, veçanërisht në Gjermani,” shpjegon Sahiti.

Ai thekson se rreth 90 për qind e kandidatëve që përgatiten në qendrën që ai menaxhon, e kanë Gjermaninë si destinacionin e tyre kryesor. Për të arritur atje, ata ndjekin një rrugë të qartë gjuhësore.

“Nëse një kandidat nuk ka njohuri paraprake të gjuhës gjermane, fillon nga niveli A1, dhe brenda 7 muajve arrin nivelin B1. Për teknikët medicinalë, kjo është e mjaftueshme për të filluar punën jashtë. Për mjekët, shpesh kërkohet niveli B2”, deklaroi Sahiti.

Ai shton se përgatitja intensive në Eurolingua Zentrum u jep mundësinë profesionistëve shëndetësorë që brenda një kohe relativisht të shkurtër të hyjnë në tregun e punës evropian, duke plotësuar kërkesat e vendeve pritëse, veçanërisht Gjermanisë.

Përderisa zërat alarmues të profesionistëve shëndetësorë po shpërfillen, Kosova rrezikon që në të ardhmen e afërt të përballet me një krizë serioze në sistemin shëndetësor – mungesën e kuadrit mjekësor. Dhe si gjithmonë, pasojat do t’i ndjejë qytetari i zakonshëm.

ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat