Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian miratoi sot raportin për Shqipërinë, i hartuar nga raportuesi Andreas Schieder.
Ai e cilësoi Shqipërinë si “kampione” ndër vendet kandidate për anëtarësim në Bashkimin Europian.
“Shqipëria me të drejtë mund të quhet një ‘kampione’ ndër kandidatët për anëtarësim në BE. Kjo në një masë të madhe falë mbështetjes së gjerë nga populli shqiptar. Por nuk jemi ende në vijën e finishit. Është thelbësore të vazhdohet në këtë rrugë me të njëjtin ritëm dhe përkushtim, duke luftuar korrupsionin dhe duke forcuar sundimin e ligjit. Duhet të vihet theks i qartë mbi zgjerimin e modelit ekonomik, krijimin e vendeve të punës dhe përmirësimin e modelit të mirëqenies sociale, si dhe në një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse dhe të gjithanshme”, tha Schieder.