spot_img
E diel, 12 Prill, 2026
16:28
HomeKosovaAkademiku Bajrami atyre që e quajnë Kosovën e viteve ’90 ‘shtet paralel’,...

Akademiku Bajrami atyre që e quajnë Kosovën e viteve ’90 ‘shtet paralel’, jeni lajthitur

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Me rastin e ndarjes nga jeta të ish-Kryeministrit të parë të Qeverisë së Republikës së Kosovës, z. Bujar Bukoshi, reagimet dhe ngushëllimet që dominuan në skenën politike dhe mediatike kosovare janë shoqëruar edhe me një debat të rëndësishëm për terminologjinë që përdoret për të përshkruar institucionet shqiptare të viteve ’90.

Akademiku i njohur shqiptar, Xheladin Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të termit “institucione paralele” për të përshkruar veprimtarinë e strukturave shtetërore të Republikës së Kosovës të asaj kohe. Ai e ka cilësuar këtë diskurs si një lajthitje e rrezikshme, që dëmton historinë e shtetndërtimit të Kosovës dhe rrezikon të legjitimojë pushtetin serb të instaluar me dhunë në vend gjatë viteve të okupimit.

“Republika e Kosovës, e shpallur në vitin 1990 dhe e legjitimuar nga populli me referendumin e vitit 1991, ishte një shtet legjitim dhe jo një ‘shtet paralel’. Këto institucione ishin të popullit dhe për popullin,”thekson Bajrami.
- Advertisement -

Sipas tij, përdorimi i termave si “shtet paralel”, “shkolla paralele” apo “universitet paralele” është jo vetëm shkencërisht i pasaktë, por edhe politikisht i rrezikshëm. Kjo gjuhë, thotë ai, kontribuon në delegjitimimin e përpjekjeve shqiptare për pavarësi dhe përforcon narrativën e okupuesit serb.

“Në realitet, institucionet që funksionuan gjatë viteve të ’90-ta në Kosovë ishin të vetmet që përfaqësonin vullnetin e popullit shqiptar. Ishin institucionet serbe ato që ishin paralele dhe të imponuara,” shton ai.

Reagimi i akademikut vjen në një moment reflektimi kombëtar për rolin historik të figurave si Bujar Bukoshi dhe strukturave të Qeverisë së Kosovës në ekzil, që financuan dhe organizuan rezistencën institucionale ndaj regjimit serb.

- Advertisement -

Kujtesa historike dhe terminologjia me të cilën ajo përshkruhet duket se do të jenë gjithnjë një terren i ndjeshëm në rrugën e konsolidimit të shtetit të Kosovës.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat