Kandidat për kryetar të Komunës së Prishtinës nga Lëvizja Vetëvendosje nuk do të jetë as Glauk Konjufca nga Lipjani, e as Mefail Bajqinovci nga Kodra e Trimave, mëson ekskluzivisht mediumi storm.
Burime të sigurta brenda Lëvizjes konfirmojnë se emri më i përfolur për të garuar për të parin e kryeqytetit ka rënë mbi Hajrullah Çekun, aktualisht ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, me prejardhje nga Prizreni.
Emri i Çekut është diskutuar intensivisht brenda forumeve të larta të partisë në javët e fundit dhe, sipas burimeve, është vlerësuar si figura më e qëndrueshme për të ruajtur Prishtinën si bastion të Vetëvendosjes në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Ndërkohë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka caktuar 12 tetorin 2025 si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta lokale në të gjitha komunat e vendit. Prishtina, si kryeqyteti i Kosovës, pritet të jetë një nga komunat ku gara do të jetë më e ashpër dhe më e ndjekur nga publiku.