Hamasi “sulmoi brutalisht” një autobus që transportonte stafin e Fondacionit Humanitar të Gazës (GHF) në një pikë shpërndarjeje pranë qytetit jugor të Khan Yunis të mërkurën në mbrëmje, duke vrarë të paktën pesë persona, tha organizata bamirëse e mbështetur nga SHBA-të.
“Ka të paktën pesë viktima, plagosje të shumta dhe frikë se disa nga anëtarët e ekipit tonë mund të jenë marrë peng”, tha GHF në një deklaratë. Pesë anëtarët e stafit të vrarë janë palestinezë.
“Ne e dënojmë këtë sulm të shëmtuar dhe të qëllimshëm me termat më të ashpra të mundshme”, tha GHF.
“Këta ishin punonjës humanitarë. Humanitarë. Baballarë, vëllezër, bij dhe miq, të cilët po rrezikonin jetën e tyre çdo ditë për të ndihmuar të tjerët”.
Ministria e Jashtme e Izraelit reagoi ndaj lajmit duke deklaruar në X se “Hamasi po e përdor si armë vuajtjen në Gaza – duke mohuar ushqimin, duke synuar shpëtimtarët dhe duke braktisur popullin e vet”.
Reverendi Johnnie Moore, një këshilltar i krishterë ungjillor i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili u emërua së fundmi në krye të GHF, i quajti vrasjet “një e keqe absolute” dhe sulmoi OKB-në dhe vendet perëndimore për atë që ai tha se ishte dështimi i tyre për t’i dënuar ato.
“Parimi i paanshmërisë nuk do të thotë neutralitet. Në këtë botë ka të mirë dhe të keqe. Ajo që po bëjmë ne është e mirë dhe ajo që Hamasi u bëri këtyre banorëve të Gazës është e keqe absolute”, shkroi ai në X.
Izraeli dhe SHBA-të thonë se sistemi i ri është i nevojshëm për të parandaluar Hamasin që të përvetësojë ndihmën nga skema e gjatë e shpërndarjes e drejtuar nga OKB-ja, e cila është e aftë të shpërndajë ushqim, karburant dhe ndihma të tjera humanitare në të gjitha pjesët e Gazës.
Zyrtarët e OKB-së mohojnë se ka pasur ndonjë devijim sistematik të ndihmës nga Hamasi dhe në vend të kësaj thonë se kanë pasur vështirësi në shpërndarjen e saj për shkak të kufizimeve izraelite dhe prishjes së rendit dhe ligjit në Gaza.
Vrasjet e së mërkurës në mëngjes u kryen nga njësia policore Hamas Sahm, të cilën Hamasi pretendon se e ka krijuar për të luftuar plaçkitjet.
Njësia publikoi pamje video që tregonin disa burra të vdekur të shtrirë në rrugë, duke thënë se ata ishin luftëtarë të milicisë Abu Shabab të cilët ishin ndaluar dhe vrarë për bashkëpunim me Izraelin.
Nuk ishte e mundur të verifikoheshin imazhet ose pretendimet përreth tyre.
Zyrtarët e Abu Shabab mohuan se imazhet tregonin anëtarë të milicisë së tyre.
GHF filloi të funksionojë në fund të majit, duke deklaruar se ka shpërndarë më shumë se 7 milionë vakte ushqimore gjatë javës së parë të mandatit të saj.



