Qeveria e Kosovës e ka themeluar sot Bordin e Përbashkët të komunave të Mitrovicës Jugore dhe Mitrovicës Veriore. Ky bord parashihet në Planin e Ahtisaarit, të cilin Vetëvendosje e ka kundërshtuar me protesta të përgjakshme. Pakoja parasheh që dy komunat të themelojnë një komision të përbashkët. Ai është në të njëjtën kohë në përputhje me Ligjin për Kufijtë Administrativ të Komunave në Kosovë.
Është themeluar bordi i përbashkët i Mitrovicës së Veriut dhe Mitrovicës së Jugut, gjë që ishte paraparë në pakon e Ahtisaarit 18 vjet më parë. Kjo pako ishte kundërshtuar nga VV në krye me Albin Kurtin asokohe, por tash vetë Kurti e jetësoi bordin.
Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi ka thënë se në objektin e MAPL-së në Mitrovicë të Veriut është mbajtur takimi i parë i këtij bordi.
“Në objektin e MAPL-së në Mitrovicën e veriut, u mbajt takimi i parë i Bordit të Përbashkët, i kryesuar nga unë si përfaqësues i Kryeministrit Albin Kurti, në prani të Kryeministrit Albin Kurti, Kryetarit Erden Atiq, nënkryetarit, Arian Tahiri dhe anëtarëve të bordit nga dy komunat.”
Kurti për këtë çështje javën e kaluar ka shkuar për takim te Kryetari i Mitrovicës së Veriut dhe ai Mitrovicës së Jugut Bedri Hamza, takimi kishte marrë vëmendje më shumë për shkak të konotacionit politik.
Bordi i Përbashkët i Mitrovicës së Veriut dhe Jugut është themeluar disa muaj para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit.
Sipas Krasniqit ky bashkëpunim parashihet me ligjin për kufijtë administrativë të komunave që parashikon bashkëpunim të ngushtë mes dy komunave përmes krijimit të një bordi të përbashkët funksional.
Ai ka shkruar se përmes bashkëpunimit në fusha të caktuara, ky bord do të ofrojë një mekanizëm konkret për realizimin e projekteve të përbashkëta, do të ndërtojë besim dhe do të rrisë efikasitetin “duke dëshmuar se ndarjet e së kaluarës mund të tejkalohen”.



