Policia Fahri Shala në dëshminë tij në rastin “Banjska”, ka deklaruar se grupi që e ka organizuar sulmin në Banjskë ka qenë i mirëorganizuar dhe i trajnuar mirë.
“Ky grup është ushtarak, nga grupet paraushtarake të Serbisë. Ndërsa sa i përket numrit, mundet me qenë rreth 50 persona. Ka qenë erresirë, identifikimin e plotë nuk kemi mundur ta bëjmë, kemi vërejtur që kanë qene me uniformë dhe kanë pas maskë, gjatë levizjes së shpejt”, ka deklaruare ai.
Ai ka thënë se të shtënat kanë ardhur nga më shumë se 20 vende.
“Armatim që është përdor ndaj nesh, nuk jam ekspert por është përdor prej armës ma të lehtë deri te më e rënde, që përdoret për automjete të blinduara”, ka shtuar ai.
Ai ka thënë se pasi e kanë tërhequr trupin e reshterit të vrarë Afrim Bunjaku, janë sulmuar me granata dore. Ka thënë se e ka të dëmtuar timpanin e veshit nga detonimi i një granate mbi kamionin në të cilin gjendeshin.
Ka theksuar se shpreson që grupi që e ka kryer sulmin të marrë dënimin e merituar.
Polici Dushi rrëfen për pasojat shëndetësore pas sulmit në Banjskë
Zyrtari policor Sedat Dushi, gjatë dëshmisë së tij për rastin “Banjska”, ka thënë se si pasojë e sulmit ka humbur 30% të dëgjimit.
“Shpesh vajza ma bonte babi s’po dëgjon … pas kontrolleve që kam bërë, unë sipas mjekëve kam humbur dëgjimin për 30%. Kam përdorur terapi dhe pastaj jam munduar ta marrë veten … Me insistimin tim jam kthyer në stacionin policor në Zveçan”, ka theksuar Dushi.
Ai ka thënë se në natën kur ka ndodhur sulmi, kur ka shkuar në spital ka qenë në gjendje të rëndë, por se ka pasur shpresë që rreshteri Afrim Bunjaku është ende gjallë.
“Por, aty e kanë konfirmuar që rreshteri ka vdekur. Aty kam rëndë në gjunjë, duke kapur kokën, pas një kohe e kam parë veten të shtrirë në një krevat të emergjencës në Mitrovicë. Kam bërë kontrolle, shërbime mjekësore në Polici dhe kam pas terapi psikologjike, psikiatrike, seanca të shumta me psikolog dhe psikiatër dhe pas ekzaminimeve të bëra, unë kam pasur trauma dhe gjithashtu kam pasur pengesa me dëgjim”, është shprehur ai.



