Pas katër ditë konflikti, drejtues të lartë dhe njerëzit e afërt të udhëheqësit të Iranit, kanë nisur përgatitjet për t’u larguar nga Republika Islamike.
Sipas mediumit ‘Iran International’, Ali Asghar Hejazi, zëvendësshefi i stafit të Ali Khameneit, së bashku me disa zyrtarë të tjerë të lartë, janë në bisedime me autoritetet ruse për të evakuuar veten dhe familjet e tyre nga vendi nëse është e nevojshme.
Ky informacion tregon se një zyrtar i lartë rus kontaktoi Hejazin dhe e siguroi atë se nëse situata përkeqësohej, ai dhe familja e tij do të evakuoheshin nga Irani përmes një korridori të sigurt.
Sipas raportit, individë të tjerë nga zyrtarë të lartë të Republikës Islamike kanë marrë telefonata të ngjashme dhe disa prej tyre po finalizojnë rrugët e tyre të daljes.
I njëjti medium raporton se Ali Khamenei u zhvendos në një bunker nëntokësor në Lavizan, që ndodhet në verilindje të Teheranit.
Sipas këtij raporti, të gjithë anëtarët e familjes së udhëheqësit të Republikës Islamike, përfshirë Mojtabën, janë duke qëndruar me të.
Burimi diplomatik shtoi se Izraeli mund ta kishte eliminuar Khamenein që natën e parë të operacionit, por qeveria izraelite vendosi ta mbante gjallë për t’i dhënë udhëheqësit të Republikës Islamike një mundësi të fundit për të vendosur për çmontimin e plotë të programit të pasurimit të Teheranit.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i kishte dhënë Khameneit dy muaj kohë për të rënë dakord të çmontonte programin e pasurimit të uraniumit të qeverisë iraniane gjatë negociatave bërthamore me Shtetet e Bashkuara, por udhëheqësi i Republikës Islamike i injoroi paralajmërimet e tij dhe të Izraelit.
Me fillimin e sulmeve ajrore izraelite, Khamenei-t i është dhënë përsëri mundësia të lëshojë një urdhër për çmontimin e programit të pasurimit, bazuar në një vlerësim realist të aftësive ushtarake të Izraelit.



