spot_img
E diel, 12 Prill, 2026
14:40
HomeKosovaGashi ngre alarmin për ndërprerjen e kontrollit të cilësisë së naftës, kërkon...

Gashi ngre alarmin për ndërprerjen e kontrollit të cilësisë së naftës, kërkon hetime

Për lajme të shkurtra dhe informuese, ndiqni kanalin tonë në YouTube!
🔗 Kliko: KËTU

Jakup Gashi, pronar i laboratorit për testimin e cilësisë së naftës “Sierra Lab”, ka ngritur alarmin për siç ka thënë një krizë të heshtur në sektorin e derivateve në Kosovë.

Me anë të një reagimi, ai ka akuzuar institucionet për ndërhyrje të paligjshme në kuadrin ligjor dhe për shmangie sistematike të kontrollit të cilësisë që nga dhjetori i vitit 2024.

- Advertisement -

Gashi shprehet se Shoqata e Naftëtarëve, me mbështetje të dukshme institucionale, po ndjek një skenar të ngjashëm me atë të rastit të fiskalizimit, përmes dezinformimit të publikut dhe frikësimit me “kosto të papërballueshme”, me qëllim të shmangies së përgjegjësisë dhe konkurrencës së ndershme.

“Me anë të kësaj letre, dëshirojmë të shprehim shqetësimin tonë të thellë lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin e tregtimit të derivateve të naftës në Republikën e Kosovës, të cilat paraqesin një rrezik serioz për sigurinë e furnizimit, mbrojtjen e konsumatorit, barazinë në treg dhe funksionimin e shtetit ligjor.

- Advertisement -

Shoqata e Naftëtarëve, në koordinim të dukshëm me përfaqësues të institucioneve shtetërore, ka rifilluar përdorimin e një retorike tashmë të njohur nga rasti i fiskalizimit. Edhe atëherë, përmes manipulimit të opinionit publik dhe përhapjes së dezinformatave për “kosto të papërballueshme”, arritën të vononin zbatimin e ligjit dhe fiskalizimin real të sektorit. Sot, po përdorin të njëjtën qasje për të shmangur kontrollin e cilësisë dhe sasisë së derivateve të naftës.

Pretendimi i tyre se kontrollet ngritin çmimin për konsumatorin është krejtësisht i pavërtetë. Kostoja reale për një kontroll cilësie në një pikë karburanti është rreth 0.001 euro për litër, një shumë simbolike dhe pa ndikim në çmimin e tregut. Ky është thjesht një pretekst për të shmangur kontrollin dhe përgjegjësinë.

Në të vërtetë, që nga dhjetori i vitit 2024, kontrollet e cilësisë janë ndërprerë tërësisht, me pasoja serioze për tregun dhe qytetarët. Ndërkohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në vend që të përforcojë zbatimin e ligjit në fuqi, ka ndërmarrë në mënyrë të paligjshme ndryshime të udhëzimit administrativ, dhe madje po tenton ndryshimin e vetë ligjit për tregtinë me derivate të naftës, të cilin vetë e ka propozuar dhe mbështetur më parë”, ka shkruar Gashi.

Gashi ka kërkuar rikthimin e menjëhershëm të sistemit të pavarur të kontrollit dhe hetim për bashkëpunime të mundshme të paligjshme në treg.

“Më shqetësuesja është tentativa për ta centralizuar verifikimin e cilësisë tek Dogana e Kosovës, e cila sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, ka një funksion ekskluzivisht fiskal dhe jo teknik. Një veprim i tillë përbën shkelje të parimeve të ndarjes së funksioneve shtetërore dhe cenon integritetin institucional, duke i hapur rrugë një krimi të strukturuar institucional.

Prandaj, kërkojmë që:

1. Të rivendoset menjëherë sistemi i pavarur i kontrollit të cilësisë në përputhje me ligjin ekzistues dhe standardet ndërkombëtare.

2. Të ndërpriten menjëherë iniciativat e paligjshme për ndryshimin e kuadrit ligjor pa konsultim publik dhe në kundërshtim me interesin e konsumatorit.

3. Të hetohet bashkëpunimi i mundshëm ndërmjet përfaqësuesve të ministrisë dhe aktorëve të tregut për pengimin e konkurrencës dhe shmangien e kontrollit institucional.

Ne jemi të gatshëm të ofrojmë të gjitha informacionet dhe provat përkatëse në mbështetje të kësaj letre, përfshirë komunikime zyrtare, deklarata publike dhe analiza ekonomike që dëshmojnë qëndrimin tonë.

Duke ju falënderuar për vëmendjen dhe angazhimin tuaj për të mbrojtur interesin publik dhe rendin ligjor”, ka shkruar më tej Gashi.

spot_img
ARTIKUJ TË TJERË
- Advertisment -spot_img

Më të lexuarat