Historia e përfshirjes së SHBA-ve në ndryshimin e udhëheqjes së Iranit është e gjatë.
Në një shkrim të publikuar nga CNN, dhe të përcjellë nga Storm, tregohen detajet për përfshirjen amerikane në ndryshimet që kanë ndodhur në Iran.
Fushat e naftës: Në vitin 1953, SHBA-të ndihmuan në organizimin e një grushti shteti për të rrëzuar kryeministrin e zgjedhur në mënyrë demokratike të Iranit, Mohammad Mossadegh.
Ai ishte zotuar të shtetëzonte fushat e naftës në vend – një veprim që SHBA-ja dhe Britania e Madhe e panë si një goditje serioze, duke pasur parasysh varësinë e tyre nga nafta që vinte nga Lindja e Mesme.
Kulmi i Luftës së Ftohtë: Masa për shtetëzim u pa si popullore në Iran dhe një fitore për BRSS-në (Bashkimi i Republikave Socialiste Sovjetike) e atëhershme.
Forcimi i sundimit të Shahut: Qëllimi i grushtit të shtetit ishte mbështetja e monarkut të Iranit, Mohammad Reza Pahlavi, për të sunduar si Shah i Iranit dhe emërimi i një kryeministri të ri – Gjeneralit, Fazlollah Zahedi.
Britanikët, ndihmuan në nxitjen e kundërshtimeve anti-Mohammad Mossadegh, duke përdorur propagandën. Në vitin 1953, CIA dhe SIS ndihmuan në bashkimin e forcave pro-Shah dhe organizuan protesta të mëdha kundër Mossadegh, të cilave iu bashkua shpejt edhe ushtria.
Paratë e gatshme të SHBA-së: Për t’i siguruar njëfar stabiliteti, kryeministrit të ri të vendit, Fazlollah Zahedi, CIA i vuri fshehurazi në dispozicion 5,000,000 dollarë brenda dy ditëve nga marrja e pushtetit.
Pranimi nga SHBA-ja: Në vitin 2013, u publikuan dokumente të deklasifikuara të CIA-s, duke konfirmuar për herë të parë përfshirjen e agjencisë. Por roli i SHBA-së ishte i njohur: Ish-Presidenti Barack Obama pranoi përfshirjen në grushtin e shtetit në vitin 2009.
Efekti i kundërt: Pas rrëzimit të Mossadeghut, SHBA-të forcuan mbështetjen e tyre për Pahlavi-n që të sundonte si Shah. Iranianët e kundërshtuan ndërhyrjen e huaj , duke nxitur ndjenjat antiamerikane në vend për dekada të tëra.
Revolucioni Islamik: Shahu u bë një aleat i ngushtë i SHBA-së. Por në fund të viteve 1970, miliona iranianë dolën në rrugë kundër regjimit të tij, të cilin e konsideronin të korruptuar dhe të paligjshëm. Protestuesit laikë kundërshtuan autoritarizmin e tij, ndërsa protestuesit islamistë kundërshtuan agjendën e tij të modernizimit.
Shahu u rrëzua në revolucionin islamik të vitit 1979, i cili i dha fund monarkisë së mbështetur nga perëndimi dhe shënoi fillimin e Republikës Islamike.



