Numri i të lënduarve nga sulmi iranian në spitalin Soroka vazhdon të rritet.
Ndaj këtij sulmi ka reaguar ashpër kryeministri iranian Netanyahu.
Ai ka paralajmëruar se Irani do të “paguajë një çmim të lartë” pasi sulmi i tij me raketa dëmtoi spitalin Soroka të Izraelit në Be’er Sheva.
“Këtë mëngjes, diktatorët terroristë të Iranit qëlluan me raketa Spitalin Soroka në Be’er Sheva dhe civilët në qendër të vendit”, shkroi Netanyahu në një postim në X. “Do t’i bëjmë tiranët në Teheran të paguajnë një çmim të rëndë”.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i palës iraniane.
Ka qenë zëvendësministri i Jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi, i cili ka lëshuar një tjetër paralajmërim SHBA-së kundër ndërhyrjes së drejtpërdrejtë ushtarake.
Në komentet e transmetuara nga agjencia e lajmeve Reuters, Gharibabadi tha se Irani nuk dëshiron që konflikti të zgjerohet, por është gati të veprojë dhe t’u “mësojë agresorëve një mësim” nëse është e nevojshme.
Vendimmarrësit ushtarakë të Iranit kanë “të gjitha opsionet e nevojshme në tryezë”, tha ai.
Këto zhvillime po ndodhin pas raportimeve se presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar planet për një sulm të mundshëm ushtarak ndaj Iranit, por ende nuk ka dhënë dritën jeshile për zbatimin e tyre.
Trumpi është takuar të mërkurën në mbrëmje me gjeneralët më të lartë në Dhomën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, ku janë diskutuar në detaje opsionet e ofensivës ndaj Iranit, si përgjigje ndaj sulmeve të fundit me raketa iraniane, përfshirë goditjen e spitalit Soroka në Beer Sheva.
Sipas Wall Street Journal, një nga opsionet më të diskutuara është përdorimi i bombarduesve të padukshëm B-2, për të lëshuar bomba bunkerësh 30.000 funtesh mbi objektet bërthamore më të fortifikuara të Iranit, siç është impianti i pasurimit të uraniumit në Fordow.



