Grupi punues i sektorit minerar në kuadër të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka mbajtur takimin e radhës, në të cilin janë diskutuar problemet që ka shkaktuar Ligji për Pronën Publike për shumë sektorë ekonomik.
Kryetari i Bordit të DhTIK-së, Skender Krasniqi, ka shprehur pakënaqësinë ndaj institucioneve për mosgatishmëri në zgjidhje të këtij problemi, si dhe shqetësimin për gjendjen e rëndë të një numri të madh të bizneseve që janë drejt falimentimit, shkaku i bllokadës së shkaktuar nga ky ligj.
Në këtë takim, para të pranishmëve, drejtori i DhTIK-së, Kushtrim Ahmeti, ka njoftuar të pranishmit në lidhje me aktivitetet që ka ndërmarrë Dhoma deri më tani.
Ai ka thënë se aktualisht problemi qëndron tek Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, e cila vazhdon ta vonoj ndryshimin e Udhëzimit Administrativ për Qiradhënien e Tokave Pyjore Shtetërore.
Në komunikatë thuhet se Grupi punues ka vendosur që gjatë javës së ardhshme t’i thërras të gjitha bizneset që janë prekur nga Ligji për Pronën Publike dhe të vendoset për hapat e mëtejmë.