Operatorët e sistemit të transmetimit të energjisë elektrike të Maqedonisë së Veriut (MEPSO) dhe tw Kosovës (KOSTT), kanë nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi për të zhvilluar rrjetin e transmetimit të energjisë elektrike.
Plani përqendrohet kryesisht në ndërtimin e një rrjeti të ri të transmetimit të energjisë me kapacitet prej 400 kilovoltësh (kV) midis Tetovës dhe Prizrenit, i cili përputhet me objektivat e tranzicionit energjetik të BE-së për vitin 2050 dhe është nominuar si kandidat për rritjen e kapacitetit të transmetimit përmes platformës evropiane të planifikimit ENTSO-E.
Aktualisht, Maqedonia e Veriut dhe Kosova kanë vetëm një lidhje transmetimi tw energjisw, por sipas analizave të ENTSO-E, rajoni i Evropës Juglindore kërkon një rritje të ndjeshme të kapaciteteve të transmetimit, të paktën dyfishim.
Investimi do të përfshijë ndërtimin e një stacioni të ri transformatorësh 400/110 kV në Tetovë dhe një linjë të re transmetimi 400 kV nga Tetova në Ohër dhe Shkup.
“Linja e transmetimit 400 kV Tetovë-Prizren jo vetëm që do të rrisë kapacitetin dhe besueshmërinë e sistemit, por gjithashtu do të mundësojë shkëmbime më të mëdha të energjisë elektrike, duke inkurajuar investime të reja në burimet e energjisë së rinovueshme”, tha Dr. Burim Latifi, Drejtor i Përgjithshëm dhe Kryetar i Bordit të MEPSO.
“Ky memorandum konfirmon bashkëpunimin midis Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut dhe angazhimin tonë të përbashkët për të krijuar një infrastrukturë moderne dhe të besueshme energjetike”, tha Shaban Neziri, Drejtor Ekzekutiv i KOSTT.
“Me këtë projekt, ne po përmirësojmë lidhshmërinë energjetike në rajon dhe po kontribuojmë në arritjen e qëllimeve energjetike të Ballkanit Perëndimor”.
Aktualisht, projekti është në fazën e planifikimit dhe përgatitjes teknike, me fillimin e ndërtimit që varet nga sigurimi i burimeve financiare dhe koordinimi i nevojshëm me të gjithë palët e interesuara përkatëse.