SHBA-të besojnë se Irani mund të kryejë sulme hakmarrëse kundër forcave amerikane në Lindjen e Mesme së shpejti, thanë dy zyrtarë amerikanë për Reuters.
Një nga zyrtarët tha se sulmi mund të ndodhë brenda një ose dy ditësh.
Por burimet i thanë gjithashtu Reuters se Uashingtoni po kërkonte një zgjidhje diplomatike.
Ndërhyrja e Trump gjatë fundjavës ka ngjallur frikën e një përshkallëzimi në rajon.
Ndërsa Trump tha vazhdimisht gjatë fushatës presidenciale vitin e kaluar se SHBA-të nuk duhet të përfshihen në ato që ai i quajti “luftëra të përjetshme”, gjatë fundjavës SHBA-të goditën tre centrale bërthamore në Iran.
Trump më pas paralajmëroi kundër hakmarrjes nga Irani, duke thënë se do të “përballej me një forcë shumë më të madhe se ajo që u pa” gjatë fundjavës.
Ndërkohë, Katari mbylli hapësirën ajrore përkohësisht pas paralajmërimeve të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar
SHBA-të kanë thënë se paralajmërimi është për shkak të një “kujdesi të tepruar”, dhe Katari ka thënë se këshilla nuk pasqyron situatën.
Por Katari tani e ka mbyllur përkohësisht hapësirën e tij ajrore, sapo ka konfirmuar ministria e jashtme.
Ajo shtoi se ky veprim është ndërmarrë për sigurinë e banorëve dhe vizitorëve.
Kjo vjen ndërsa Irani përsëriti kërcënimet e mëparshme për t’u hakmarrë kundër SHBA-së pas sulmeve në centralet e saj bërthamore.
Ministri i jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi u takua me Vladimir Putinin në Kremlin më herët sot.
Araghchi i solli Putinit një letër nga udhëheqësi suprem i Iranit, ku kërkonte më shumë ndihmë nga Rusia pas sulmeve nga Izraeli dhe SHBA-të.
Kremlini e përshkroi atë si një takim të mirë. Por, para vizitës, burime në Iran sugjeruan se ata kishin shpresuar për më shumë mbështetje nga Rusia.



