Gjykata e Qarkut në Jerusalem, e ka refuzuar kërkesën e kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për pauzë dyjavore në gjykimin për ryshfet, pasi Zyra e Prokurorit Shtetëror gjithashtu kishte dalë kundër kësaj kërkese.
Në një deklaratë, gjykatësja Rivka Friedman-Feldman, tha se kërkesa e dorëzuar nga avokati i Netanyahut, Amit Hadad, “nuk paraqet një bazë ose arsye të hollësishme që mund ta justifikojë anulimin e seancave dëgjimore të dëshmive”.
Zyra e Prokurorit Shtetëror në Izrael e ka kundërshtuar kërkesën e kryeministrit Benjamin Netanyahu për një pauzë dyjavore në gjykimin e tij, duke i përmendur si arsye ritmin e ngadalshëm të dhënies së dëshmisë dhe pushimin veror që është në prag.
Avokati i Netanyahut, Amit Hadaad, kishte thënë se kryeministri kishte kërkuar dy javë pauzë për t’ua kushtuar kohën e tij “çështjeve diplomatike, kombëtare dhe të sigurisë që janë të rendit të parë”, pas luftës së zhvilluar rishtazi me Iranin, e cila mori fund të martën, raporton gazeta “The Times of Israel”.
Sipas Hadadit, në këto çështje përfshihet “menaxhimi i luftës në Gaza dhe trajtimi i çështjes së pengjeve”, duke iu referuar personave që ende po mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës. Në enklavën palestineze ndodhen akoma 50 pengje dhe më pak se gjysma besohet se janë gjallë.
Në reagimin e saj, Zyra e Prokurorit Shtetëror tha se “arsyet e përgjithshme të detajuara në kërkesë nuk mund të anulojnë dy javë seanca, sidomos në prag të pushimit”.
Kjo zyrë thekson se tashmë ka bërë përshtatje për t’i lehtësuar detyrimet e Netanyahut, përfshirë lejimin që të dëshmojë dy herë në javë, e jo tri herë në javë.
“Prokuroria, prandaj, e kundërshton kërkesën” – thuhet në deklaratë.
Kërkesa për dy javë pauzë në gjykim u dorëzua disa orë pasi presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kërkoi që gjykimi ndaj Netanyahut të anulohet, duke e quajtur “gjueti shtrigash kundër kryeministrit të mrekullueshëm të kohës së luftës”.
Netanyahu po gjykohet në tri raste për korrupsion, duke u ballafaquar me akuza për ryshfet, mashtrim dhe shkelje të besimit. Ai mohon se ka bërë ndonjë shkelje dhe thotë se të gjitha akuzat janë të fabrikuara në një puç politik të udhëhequr nga policia dhe prokuroria.




