Zyrtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës shpëtojnë jetën e një gruaje në rrugën Vushtrri-Mitrovicë
Një akt heroik është shënuar sot përgjatë magjistrales Vushtrri-Mitrovicë, ku zyrtarët policorë nga Drejtoria e Njësive Speciale Intervenuese kanë shpëtuar jetën e një gruaje.
Sipas njoftimit zyrtar, zyrtarët policorë kanë hasur një person të gjinisë femërore të shtrirë në tokë, në gjendje të alivanosur. Ata janë ndalur menjëherë dhe i kanë ofruar ndihmën e parë.
Reagimi i shpejtë dhe profesional ka bërë që gruaja të përmirësojë gjendjen shëndetësore dhe të mbahet nën kujdesin e zyrtarëve deri në mbërritjen e ekipit të ambulancës.
Ky intervenim thekson përkushtimin e vazhdueshëm të Policisë së Kosovës në mbrojtjen e qytetarëve dhe efikasitetin e lartë operacional të trupave të saj. Profesionalizmi i treguar është fryt i trajnimeve të avancuara, përfshirë ato të realizuara në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Policia e Kosovës vazhdon të dëshmojë përkushtim të palëkundur ndaj sigurisë publike, duke qenë e gatshme të reagojë në çdo moment për të shpëtuar jetë.



