Presidentja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjyqtarja Ekaterina Trendafilova, zhvilloi sot një takim me Përfaqësuesen Speciale të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefen e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, në selinë e UNMIK-ut në Prishtinë.
Ky takim që përqendrohej në punën e Dhomave të Specializuara dhe situatën e përgjithshme në Kosovë, nuk u raportua nga mediat kosovare, duke ngritur pyetje rreth transparencës dhe mungesës së informimit për vizitat dhe takimet e tjera të Trendafilovës gjatë qëndrimit të saj në Kosovë.
Në takimin me gjyqtaren Trendafilova, Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh, rikonfirmoi mbështetjen e misionit për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë, duke theksuar rëndësinë e qasjes së barabartë në drejtësi për të gjithë qytetarët.
Vizita e gjyqtares Trendafilova u përmend si pjesë e vizitave të rregullta që ajo zhvillon në Kosovë, por për momentin, përveç UNMIK-ut, nuk dihet nëse ajo është takuar me zyrtarë të tjerë në Kosovë.
Ky takim vjen para udhëtimit të Caroline Ziadeh drejt Serbisë, ku ajo zhvilloi takime me liderët serbë, për të vazhduar më pas në New York, ku do të mbahet seanca e radhës për raportin e UNMIK-ut për Kosovën.
Kjo seancë është e një rëndësie të veçantë, pasi përpara se Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të mbajë fjalimin e saj, Caroline Ziadeh do të raportojë në emër të misionit të OKB-së për gjendjen në Kosovë.
Mungesa e raportimeve të plota nga mediat vendase për këtë vizitë ngre pyetje për qasjen që këto institucione kanë ndaj proceseve të ndjeshme të drejtësisë ndërkombëtare, si dhe për efektin që këto takime kanë në klimën politike të vendit.



