Pushteti në Deçan keqpërdor Qendrën Rinore për festa politike, denoncon Natyra Kuçi
Kandidate e PSD-së për kryetare të Komunës së Deçanit, Natyra Kuçi, ka reaguar ashpër ndaj përdorimit të Qendrës Rinore nga pushteti lokal për aktivitete që sipas saj nuk kanë lidhje me rininë.

Sipas Kuçit, mbrëmë, pas përfundimit të aktiviteteve të Panairit Veror, kryetari i komunës së bashku me bashkëpunëtorët e tij kanë vazhduar “festën” në ambientet e Qendrës Rinore, duke e shfrytëzuar këtë objekt publik për interesa politike dhe personale.
“Javë më parë kemi theksuar se kjo sallë shfrytëzohet rregullisht për festat e njerëzve të pushtetit. Këta vazhdojnë me të njëjtin hov. Paraja e qytetarit, prona publike, ndërkohë përfitues, pushteti e vëllezërit,” tha Kuçi.

Ajo kritikoi keqpërdorimin e resurseve publike dhe theksoi nevojën për transparencë dhe respekt ndaj pronës dhe interesave të qytetarëve, veçanërisht të rinisë.