Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se shpreson që pas tetorit, kryetar i kryeqytetit të jetë “ai që e meriton”.
Ai tha se “është mirë” që kjo nuk vendoset me vendim nga individë si kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i cili i tha atij sot se në vjeshtë, kur mbahen zgjedhjet lokale, duhet të gjejë punë tjetër.
“Është mirë që është te vota e kryeqytetit, e qytetarëve të kryeqytetit, jo te personat individualë që e marrin këtë vendim, prandaj qytetarët e kryeqytetit le ta vendosin kush është meritor, a është ai që ka punu me zemër e me shpirt gjatë këtyre katër viteve për me e transformu kryeqytetin, apo ata të cilët e kanë sabotu dhe e kanë blloku”, tha Rama.
Rama tha se “unaza e jashtme është jetike për kryeqytetin”, ndërsa tregoi sfidat që tha se i ka pasur për të bashkëpunuar me nivelin qendror.
“Qytetarët qartazi e shohin kush është duke punu”, tha ai.
Rama tha se i ka kërkuar Kurtit disa herë që të takohen.
“Ja që kryeministri nuk e ka pa të rrugës që të vijë sepse thotë ‘jemi ende të lënduar që na e ke marrë Prishtinën’”, tha ai.
Kryetari i Prishtinës tha se po mendon se “çfarë ka ndodhur me Kosovën këto 4-5 vite”.
“Paramendo çka kish me ndodhë me Prishtinën po ta kishin këta. Është një ‘mindset’ destruktiv, i rrezikshëm, që nuk duhet me e leju”, tha ai.
Kur u pyet në emisionin Frontal rreth kandidatit të LVV-së për Prishtinën, Rama e quajti “bllokues total”.
Ai tha se ministrit në detyrë të Kulturës i ka ndihmuar “për çkado”, mirëpo nga ai tha se ka hasur gjithmonë në bllokadë.
“Ja që na doli kandidat. Një person të cilit jam mundu t’i ndihmojë, për çkado që ka pasë kërkesë Ministria e Kulturës ndaj Komunës së Prishtinës, ne kemi hapë rrugë. Mirëpo kurdo që ata është dashtë që t’i ndihmojnë Komunës, kanë blloku, në secilën pikë”, tha ai.
Rama tha se kandidaturën e Çekut për kryetar të kryeqytetit “nuk e duan as vetë anëtarët e Vetëvendosjes këtu në Prishtinë”.
“Është i imponuar nga vetë kryeministri”, tha ai në T7.
Rama tha se “të gjitha projektet madhore në qendër janë të bllokuara pikërisht nga ky person”.