Eugen Cakolli, nga KDI, ka reaguar pas dështimit të radhës së seancës konstituive, duke thënë se Avni Dehari, kryesues i kësaj seancës, sot e ka mbyllur seancës në mënyrë arbitrare.
Ai ka deklaruar edhe se veprimi i Deharit është cenim i të drejtës kushtetuese të deputetëve për të votuar, e jo vetëm shkelje e aktgjykimit Kushtetues.
Cakolli në reagimin e tij ka deklaruar po ashtu se refuzimi për të kaluar në votim të fshehtë s’mund të interpretohet njëanshëm si dështim i seancës.
‘‘Sot, për të dytën herë pas aktgjykimit, kryesuesi Avni Dehari sërish e mbylli seancën në mënyrë arbitrare. Kjo është jo vetëm shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe cenim i të drejtës kushtetuese të deputetëve për të votuar. Refuzimi për të kaluar në votim të fshehtë – ndonëse mocionet procedurale nuk lejohen fare – nuk mund të interpretohet njëanshëm si dështim i seancës. Përkundrazi, në mungesë të ndryshimit të procedurës, seanca duhet të vazhdojë me votim të hapur, siç është standardi’’, ka thënë mes tjerash ai.
Postimi i plotë:
Sot, për të dytën herë pas aktgjykimit, kryesuesi Avni Dehari sërish e mbylli seancën në mënyrë arbitrare.
Kjo është jo vetëm shkelje e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, por edhe cenim i të drejtës kushtetuese të deputetëve për të votuar.
Refuzimi për të kaluar në votim të fshehtë – ndonëse mocionet procedurale nuk lejohen fare – nuk mund të interpretohet njëanshëm si dështim i seancës. Përkundrazi, në mungesë të ndryshimit të procedurës, seanca duhet të vazhdojë me votim të hapur, siç është standardi.
Me një qasje të tillë bllokuese, tashmë Kryesuesi, efektivisht po refuzon ta drejtojë seancën.
E një situatë e tillë është e sanksionuar qartë me nenin 9 (2) të Rregullores së Kuvendit, që përcakton se kur kryesuesi refuzon ta drejtojë seancën, ai duhet të zëvendësohet nga deputetë të tjerë, sipas kriterit të moshës.



