Një aksident trafiku me pasoja fatale ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në magjistralen Suharekë – Shtime, tek vendi i njohur si Qafa e Duhlës. Rreth orës 06:57, Policia e Kosovës është njoftuar për një aksident në të cilin është përfshirë një motoçikletë me targa të Maqedonisë së Veriut.
Sipas informacioneve të para, një çift shtetas maqedonas – A.S. (1979), mashkull dhe D.M. (1985), femër – ishin duke udhëtuar nga Shtimja drejt Suharekës kur një qen endacak doli papritur në rrugë, duke bërë që drejtuesi i motoçikletës të humbë kontrollin dhe të përplasen.
Si pasojë e aksidentit, pasagjerja D.M. ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa drejtuesi i motorit ka pësuar lëndime trupore. Njësitë e Policisë së Kosovës dhe të Emergjencës kanë reaguar menjëherë, ndërkohë që mjeku në vendin e ngjarjes ka konstatuar vdekjen e viktimës.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit janë duke vazhduar.
Magjistralja Suharekë – Shtime është aktualisht e qarkullueshme për të gjitha automjetet.



