Pishina e Gërmisë në Prishtinë është mbyllur përkohësisht nga data 15 deri më 19 korrik, për shkak të inspektimit të detajuar të pompave të filtrimit të ujit dhe kryerjes së analizave të nevojshme sipas udhëzimeve të Institutit të Shëndetit Publik, shkruan mediumi storm.
Lajmi është konfirmuar përmes një njoftimi zyrtar nga “Sport Marketing Prishtina”, ku thuhet se pas analizave të parapara, pishina do të rihapet të shtunën.
Ky vendim ngre shqetësime serioze për faktin se pishina ka funksionuar deri më tani, pa qenë të përfunduara inspektimet dhe analizat e ujit, duke ngritur pikëpyetje mbi sigurinë dhe standardet higjienike që janë ndjekur gjatë sezonit të verës.
Autoritetet nuk kanë dhënë sqarime shtesë nëse gjatë funksionimit të deritanishëm ka pasur rrezik për shëndetin e qytetarëve, megjithëse analiza të tilla zakonisht duhen përfunduar para se një pishinë publike të jetë e hapur për qytetarët.
Pishina e Gërmisë, si një ndër destinacionet më të frekuentuara verore në kryeqytet, pritet të rihapet më 20 korrik (e shtunë), pas përfundimit të kontrollimeve teknike dhe laboratorike.