Deputetët e zgjedhur do të mblidhen sot në përpjekjen e 51-të për konstituim të Kuvendit.
Të hënën ishte tentimi i 50-të, dhe si herët tjera, nuk kishte asnjë rezultat.
104 deputetë kanë qenë në sallë dhe vetëm 53 deputetë morën pjesë në votimin për formimin e Komisionit për votim të fshehtë.
Kryesuesi Avni Dehari ka kërkuar nga partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë që të propozojnë emra për kandidatë për komisionin për zhvillimin e procesit të votimit të fshehtë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me një kërkesë për interpretim lidhur me pasojat juridike që mund të lindin në rast se Kuvendi i ri nuk konstituohet brenda afatit të përcaktuar prej 30 ditësh.
Në një konferencë për media të martën pasdite, Osmani theksoi se kërkesa që e dorëzoi në gjykatë ka karakter preventiv dhe është e nevojshme për të garantuar funksionimin demokratik të institucioneve në vend. Ajo pret nga gjykata të shqyrtojë “konfliktin e kompetencave kushtetuese të krijuara nga moskonstituimi i Kuvendit”.
Presidentja deklaroi se ky është një rast i paprecedentë në jetën politike të Kosovës dhe se mungesa e konsensusit për konstituimin e Kuvendit brenda afatit kushtetues ka krijuar një situatë të paqartë ligjore. Osmani u shpreh se shpreson që Kushtetuesja ta prioritizojë këtë çështje.
Në kërkesën e presidentes theksohet që zgjidhja e këtij konflikti kompetencash paraqet nevojën që të sqarohen:
1. Pasojat juridike të mungesës së konstituimit të Kuvendit brenda afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.
2. Pasojat juridike të konstituimit të Kuvendit pas afateve të caktuara në nenin 66.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.
3. Autorizimet, kufizimet dhe pasojat në ushtrimin e kompetencave të Presidentes së Republikës në raport me një Kuvend që konstituohet pas afateve të caktuara në nenin 2066.1 sipas Aktgjykimit KO124/25 dhe, rrjedhimisht, në mospërputhje me nenin 66.1 dhe 116.1 të Kushtetutës.
Pas katër ditësh, përfundon afati 30-ditor i Kushtetueses që e caktoi për konstituimin e Kuvendit në aktgjykimin e 26 qershorit.