Klinika e Kardiokirurgjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) po vazhdon të jetë një pikë kyçe për trajtimin e pacientëve që kanë nevojë për ndërhyrje në zemër – qoftë në raste urgjente apo të planifikuara. Me një infrastrukturë të përmirësuar dhe kushte moderne, kjo klinikë është funksionale 24 orë në ditë, çdo ditë të javës.
Stafi profesional i kësaj klinike, i përbërë nga mjekë dhe infermierë të specializuar, ofron kujdes të vazhdueshëm dhe të përkushtuar për pacientët.
Drejtori i Shërbimit Klinik të Kardiokirurgjisë, Dr. Shpejtim Shurdhiqi, thekson se përkushtimi i stafit dhe përmirësimi i kushteve teknike kanë ndikuar drejtpërdrejt në suksesin e trajtimeve.
Ky shërbim shënon një hap të rëndësishëm për sistemin publik shëndetësor në Kosovë, duke garantuar trajtim cilësor për pacientët me sëmundje të zemrës, pa pasur nevojë për trajtime jashtë vendit.