Një objekt trekatësh i ndërtuar pa leje është shembur mëngjesin e sotëm me shpërthim të kontrolluar pranë aksit rrugor Vlorë-Orikum.
Inspektorati Kombëtar i Territorit njoftoi se operacioni u zhvillua në orën 07:30, duke përdorur 32 kilogramë lëndë plasëse.
Sipas IKMT-së, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit u morën të gjitha masat e sigurisë, përfshirë bllokimin e përkohshëm të aksit rrugor dhe ndërprerjen për disa minuta të furnizimit me energji elektrike në zonë.
Në reagimin e tij, kryeministri Edi Rama e cilësoi aksionin si pjesë të betejës për t’i dhënë fund ndërtimit pa leje.
“Me këto pamje nga përballja me paligjshmërinë që lëndon e shëmton hapësirat ku bashkëjetojmë si bij e bija të këtij vendi, e ku do ta shkruajmë me se s’bën kapitullin e fundit të betejës me ndërtimet pa leje apo në shkelje të lejeve, ju uroj një javë sa më të mbarë”, shkruan Rama.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Ministrinë e Mbrojtjes, Forcat Xheniere të Forcave të Armatosura dhe Policinë e Shtetit.