139 shoferë të kapur në timon nën ndikimin e alkoolit, 202 patenta të ndaluara në tre javë – ky është bilanci i kontrolleve të intensifikuara nga Policia e Gjakovës gjatë periudhës 18 korrik – 10 gusht 2025. Aksioni është zhvilluar në kuadër të planit operativ “Sezoni Veror”, ku Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor ka themeluar Task Forcën “Alkooli” dhe ka kryer gjithsej 5,152 testime për prani alkooli tek drejtuesit e mjeteve.
Përveç kontrolleve për alkool, policia ka ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj shoferëve që rrezikojnë sigurinë në trafik, me fokus në zonat me rrezik të lartë aksidentesh dhe shkelje si tejkalimi i shpejtësisë, manovrat e rrezikshme, përdorimi i telefonit gjatë ngasjes dhe mosvendosja e helmetës nga motoçiklistët.
Bilanci i kësaj periudhe përfshin:
3,012 gjoba për shkelje të ndryshme të rregullave të trafikut;
202 patenta shoferi të ndaluara si masë mbrojtëse (përfshirë 139 për ngasje nën ndikimin e alkoolit);
5 automjete dhe 58 motoçikleta të sekuestruara;
Për 18 shoferë nga vende evropiane, të kapur në kundërvajtje të rënda, të dhënat janë përcjellë tek autoritetet kompetente të vendeve të tyre.
“Policia mbetet e përkushtuar për të garantuar sigurinë në rrugë dhe kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e rregullave të trafikut. Vetëm me përgjegjshmëri dhe vëmendje të përbashkët mund të shmangim aksidentet dhe të ruajmë jetën në rrugë”, thuhet në njoftim.



