Europol ka konfirmuar se operacioni i fundit i zhvilluar nga SPAK, që çoi në lëshimin e 16 masave sigurie (10 prej të cilave u ekzekutuan), zbardhi aktivitetin e një organizate kriminale shqiptare me lidhje të forta ndërkombëtare.
Bëhet fjalë për rrjetin e drejtuar nga vëllezërit Ervis dhe Albin Çela, të cilët siguronin kokainën direkt nga prodhuesit në Amerikën Latine dhe kishin kapacitetin për të trafikuar tonelata të saj drejt porteve europiane.
Sipas Europol, hetimet dokumentuan përpjekjen e tyre për të trafikuar 28 tonë kokainë dhe provuan lidhjet e ngushta që kjo organizatë kishte me struktura të tjera kriminale botërore.
Fitimet e përfituara nga ky aktivitet i madh kriminal investoheshin në pasuri të paluajtshme në Shqipëri dhe në vende të tjera të Bashkimit Europian. Një pjesë e këtyre pasurive – përfshirë prona, biznese dhe mjete – u sekuestruan nga SPAK gjatë operacionit.
Hetimi u mbështet nga analiza e komunikimeve të siguruara përmes platformës së koduar SKY ECC, e cila zbuloi detaje mbi mënyrën e veprimit të grupit dhe lidhjet e tij me emra të njohur për drejtësinë shqiptare.
Mes tyre rezultoi edhe Franc Çopja, për të cilin më herët ishte lëshuar një tjetër urdhër ndalimi nga SPAK.