Shqipëria u prezantua në Festival du Périgord Noir, një nga festivalet muzikore më të njohura në Francë, ku muzika ndërthuri traditat, kulturat dhe historitë e Mesdheut.
Festivali u organizua në datat 3 deri më 17 gusht dhe artistë të shquar shqiptarë përcollën tinguj që bashkuan breza dhe hapësira.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja e konsideroi këtë një udhëtim i paharrueshëm përmes muzikës, ku Shqipëria jo vetëm u dëgjua, por edhe u ndje me emocion, nostalgji dhe gëzim.
“Flaka Goranci dhe Togha Quartet sollën “Meloditë Shqiptare”, duke rikthyer në skenë thellësinë e zërit dhe fuqinë e këngëve popullore. Miksi, Yara Kasti dhe Tsanta ndezën atmosferën me një koncert të hapur nën qiellin e Terrasson-Lavilledieu, duke ndërthurur muzikë nga Shqipëria në Siri, Liban, Francë e Iran”, u shpreh Gonxhja.
Po ashtu, artistët e mirënjohur Tedi Papavrami dhe Maki Okada dhuruan një udhëtim virtuoz që kaloi përmes Shqipërisë, Italisë, Spanjës e Polonisë me pasion dhe mjeshtëri të rrallë.
Ndërsa pianistja Marie-Ange Nguci fali një recital plot ndjenja në piano në një nga netët më magjike të festivalit. /atsh