Quint-i dhe BE shprehin shqetësim për tentativat e kufizimit të partive jo-shumicë në Kosovë
Prishtinë, 22 gusht 2025 – Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara, së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë, kanë reaguar sot lidhur me procesin e regjistrimit të partive politike për zgjedhjet lokale të 12 tetorit, duke shprehur shqetësim për tentativat e disa aktorëve politikë për të kufizuar garën zgjedhore të partive që përfaqësojnë komunitetet jo-shumicë.
Në një deklaratë të përbashkët, Quint-i dhe BE theksojnë se çdo veprim i tillë përjashtues “cënon parimet demokratike dhe minon besimin në institucionet e Kosovës.”
“Ne presim që qeveria në detyrë dhe të gjitha partitë politike të përmbahen nga hapat e mëtejshëm që mund të pengojnë regjistrimin e partive. Të gjitha procedurat duhet të zhvillohen rreptësisht në përputhje me rregullat dhe mandatin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve,” thuhet në reagim.
Deklarata inkurajon gjithashtu subjektet politike të prekura që të shfrytëzojnë mekanizmat ligjorë, përfshirë Panelin e Ankesave dhe Parashtresave Zgjedhore, për të kërkuar të drejtat e tyre.
Reagimi vjen në një kohë kur partitë nga komunitetet jo-shumicë kanë shprehur ankesa për pengesa institucionale gjatë procesit të regjistrimit për garën e tetorit, duke ngritur shqetësime për përfaqësim të barabartë dhe transparencë zgjedhore.