Vajzat dhe djemtë e Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, dhuruan emocione dhe spektakël me performancën e tyre në brigjet e Pashalimanit, duke e bërë eksperiencën e pushuesve vendas, por edhe turistëve të huaj më të paharrueshme.
Kryeministri Edi Rama, u shpreh sot në një postim në rrjetet sociale, se “nga Nëndetësja 105, dikur simbol i Luftës së Ftohtë dhe Realizmit Socialist, ndërsa sot platformë e një projekti tërheqës, falë talentit të vajzave e djemve të Orkestrës së Forcave të Armatosura, që risjellin meloditë e “Ritfolk” në brigjet e Pashalimanit”.
Në kuadër të sezonit turistik, brigjet e Pashalimanit ishin ndalesa e radhës e formacionit të OSFA-së.
Ky aktivitet përfaqëson një angazhim konkret të Forcave të Armatosura në mbështetje të jetës komunitare dhe nxitjes së turizmit kulturor në qytetet shqiptare.
Përmes këtij formacioni, Forcat e Armatosura kontribuojnë në gjallërimin e jetës sociale dhe kulturore, duke sjellë një produkt artistik të aksesueshëm për publikun vendas dhe vizitorët. /atsh