Partitë opozitare nuk kanë arritur të votojnë rezolutën për skandalet dhe keqmenazhimin në Korporatën Energjetike të Kosovës, shkaku i mungesës së kuorumit.
Në këtë seancë, tri partitë opozitare, kanë dhënë një numër të madh të akuzave.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi gjatë prezantimit të rezolutës shtatë-pikëshe, tha se kjo seancë është e domosdoshme për situatën, siç e quajti ai, alarmante të shkaktuar nga keqmenaxhimi dhe ndërhyrjet e jashtëligjshme.
Ai ka kërkuar hetim “për skandalet e KEK-ut”.
Sipas kësaj rezolute, Gashi tha se Kuvendi kërkon nga autoritet kompetente që të hetojnë ndërhyrjen e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen e KEK-ut dhe hetim për Dejona Mihalin.
Shefi i Grupit Parlamentarë të Partisë Demokrative të Kosovës Abelard Tahiri, tha se vetëm për dy vite të Lëvizjes Vetëvendosje me drejtim të KEK-ut janë dhënë rreth 105 milionë euro kontrata një burimore, vitet 2022/2023.
“Ajo që ja vlen të theksohet se nga 23 prilli i vitit 2020 Korporata Energjetike e Kosovës udhëhiqet nga Lëvizja Vetëvendosje, ka qenë Qeveria Kurti 1 kur me këtë datë e ndërron bordin e ri dhe drejtorin e ri të Korporatës Energjetike të Kosovës, buxheti vjetor i kësaj korporate sillen rreth 150 milionë, ndërsa për vitin 2024 vlen të theksohet se planifikimet janë që buxheti i kësaj korporate të jetë rreth 204 milionë”, tha Tahiri.
Tahiri parashtroi disa pyetje për çështjen e Kek-ut, derisa shtoi se prej menaxhimit të Kek-ut nga ardhja në pushtet e VV-së, buxheti i kësaj ndërmarrje kap shifrën rreth 600 milionë euro.
“Tash e pesë vite kemi hyrë në vitin e pestë kur KEK menaxhohet nga njerëzit e deleguar nga Lëvizja Vetëvendosje, nëse e shofim në total buxheti që është shpenzuar për këto vite e kalon shifrën rreth 600 milionë euro që në fakt nuk e dimë saktësisht nga kush janë menaxhuar, a janë menaxhuar nga bordi? A janë menaxhuar nga drejtori? A janë menaxhuar nga Dejona? A janë menaxhuar nga Nagipi? Apo nga Martini? . Në vitin e pestë që kemi hyrë me drejtim të Kekut nga LVV, i kemi evidentuar në këtë kuvend që janë dhënë rreth 105 milionë euro kontrata një burimore, për dy vite vitet 2022/2023”, tha Tahiri.
Shefi i Grupit Parlamentarë të AAK-së Besnik Tahiri u shpreh se skandalet në KEK duhet të kenë përgjigje nga pozita.
“Ky është debati i katërt që opozita kësaj radhe e ka thirrë me iniciativë të Lidhjes Demokratike të Kosovës fton Kuvendin e Republikës së Kosovës si institucionin kryesorë në vend të debatojë për tema dhe skandale, të cilat së paku meritojnë një përgjigje prej personave që janë përgjegjës”.
Sipas tij skandali i KEK-ut meriton të ketë një përgjigje nga qeveria aktuale.